Donald Trump po përgatitet të kandidojë përsëri për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë ish-zëvendës Presidenti, Mike Pence ka deklaruar se Trump do të mbahet përgjegjës për sulmin e 6 janarit në Kapitol, raporton The Guardian.
Në atë kohë në rolin e nënkryetarit, Pence ishte në Kapitol kur mijëra mbështetës të Trump hynë në ndërtesë për të ndaluar Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat u fituan nga Joe Biden.
Duke qenë se zëvendëspresidenti ka rolin kushtetues të presidentit të Senatit, Pence kryesonte atë që kishte qenë gjithmonë detyra ceremoniale e miratimit të votave të kolegjit zgjedhor.
“Presidenti Trump e kishte gabim. Nuk kisha të drejtë të përmbysja zgjedhjet dhe fjalët e tij të pamatura rrezikuan familjen time dhe të gjithë në Kapitol atë ditë, dhe e di që historia do t’i kërkojë llogari Donald Trumpit”, tha Pence.