Një atentat mafioz ka ndodhur mbrëmjen e sotme ku ndaj lokalit të Fatjon Muratit, mikut të Endrit Dokles është qëlluar me breshëri nga dy motorë në lëvizje.
Nga plumbat ka vdekur banakierja e lokalit Mimoza Paja 60-vjeç ndërsa janë plagosur 5 persona mes të cilëve edhe një fëmijë që ka marrë plagë nga ciflat e xhamave të thyer.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Don Bosko në Tiranë.
Të plagosurit në atentat janë Shehat Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku e Genc Shohalli.
Fatjon Murati është arrestuar më 8 tetor të vitit të shkuar pasi ishte shpallur në kërkim. Ai dyshohet se ishte zotëruesi i një arsenali armësh të kapur më 13 korrik gjatë një aksioni policor.
Në kohën e arrestimit, Murati ka qenë duke lëvizur me një mjet të blinduar bashkë me Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Ruçi.
Policia kishte gjetur gjurmët e gishtave të Muratit në njërën prej armëve të gjetura në arsenalin e kapur që i përkiste Kristian Gjinit. Murati nga ana e tij e mohoi asokohe se kishte lidhje me arsenalin e armëve.
Ai ka pranuar në polici se njihej me Kristian Gjinin dhe para disa kohësh i ka marrë makinën. Murati vijon të qëndrojë në burg, ndërsa Dokle dhe Ruçi që u arrestuan bashkë me të janë liruar.
Fatjon Murati ka qenë i dyshuar për masakrën me tre të vrarë në Fushë Krujë në 17 korrik 2022, ku u vranë nipi i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, Diklen Vata e Besmir Hoxha.
Njoftimi
“Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit Sahit Murati, 50 vjeç, Astrit Meraj,42 vjeç, Emanule Sala, 47 vjeç, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.”