Atentati që tronditi Tiranën, Fatjon Murati s’gjendet në banesë, ishte në arrest shtëpie


Fatjon Murati që duhet të ishte në arrest shtëpie, nuk është gjetur në banesë mbrëmjen e djeshme pas atentatit ndaj lokalit të tij në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë.

Dyshimet e policisë është se Murati mund të jetë larguar jashtë vendit.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme ku persona të armatosur që udhëtonin me një mjet qëlluan me breshëri ndaj lokalit duke lënë të vdekur banakieren, 60-vjeçaren Mimoza Paja si dhe duke plagosur 5 persona mes të cilëve edhe xhaxhain e Muratit, Shehat Murati.

Të lënduarit u dërguan menjëherë në spitalin e Traumës ku gjendja e tij është e qëndrueshme.

Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar apo ndaluar për ngjarjen e rëndë që tronditi kryeqytetin.

Fatjon Murati është arrestuar më 8 tetor të vitit të shkuar pasi ishte shpallur në kërkim. Ai dyshohet se ishte zotëruesi i një arsenali armësh të kapur më 13 korrik gjatë një aksioni policor.

Në kohën e arrestimit, Murati ka qenë duke lëvizur me një mjet të blinduar bashkë me Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Ruçi.

Policia kishte gjetur gjurmët e gishtave të Muratit në njërën prej armëve të gjetura në arsenalin e kapur që i përkiste Kristian Gjinit. Murati nga ana e tij e mohoi asokohe se kishte lidhje me arsenalin e armëve.

Ai ka pranuar në polici se njihej me Kristian Gjinin dhe para disa kohësh i ka marrë makinën. Murati vijon të qëndrojë në burg, ndërsa Dokle dhe Ruçi që u arrestuan bashkë me të janë liruar.

Fatjon Murati ka qenë i dyshuar për masakrën me tre të vrarë në Fushë Krujë në 17 korrik 2022, ku u vranë nipi i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, Diklen Vata e Besmir Hoxha.