Vendosni fjalën kyçe....

Lajçak takohet me Vuçiçin në Beograd


 

I dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka nisur të hënën vizitën në Beograd, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, sipas REL.

Të dy liderët do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Lajçak u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd, pas qëndrimit dyditor javën e kaluar Prishtinë, ku bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe aktorë të tjerë politikë.

Më 13 mars, para takimit me Lajçakun, Vuçiq tha se do të diskutojë se çfarë mund të bëhet në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Por, nëse dikush nuk është i gatshëm as të flasë, e lëre më të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë nuk ka kuptim”, tha Vuçiç.

Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Më 9 mars, Lajçak ka thënë se ka pasur bisedime konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes, dhe ka shtuar se takimi i ka përmbushur pritshmëritë e tij.

Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak ka thënë se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, sepse Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht obliguese pa të.

Më 10 mars, Lajçaku ka thënë se beson që Marrëveshja do të zbatohet të paktën pjesërisht, nëse jo plotësisht, dhe se harmonizimi “i një pjesë të mirë” të udhërrëfyesit do të përbënte sukses.

Më 9 mars, Vuçiç ka thënë se Lajçak do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën për të biseduar drejt normalizimit.

Një ditë më vonë, Vuçiç e ka përsëritur se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk e ka të qartë” se çfarë do të diskutojë me Lajçakun.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.