Vendosni fjalën kyçe....

PL: Kopshtet dhe çerdhet që pretendon Veliaj nuk përmbushin kapacitetet për nevojat e kryeqytetit


Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun dhe kryesuesja e listës së këshilltarëve për Bashkinë e Tiranës, Silva Caka, në një deklaratë për mediat foli për zgjedhjet e 14 majit.

Caka hodhi poshtë të gjitha fjalët e Veliajt, në prezantimin e strategjisë për zhvillimin e Tiranës në ditën e sotme.

Cakaj shprehu se investimet janë fasadë, pasi kopshtet dhe çerdhet nuk përmbushin kapacitetet e nevojave të popullsisë që ka Tirana.

Më tej Cakaj vijoi se 350 milion eurot që ka buxhet bashkia e Tiranës do të bëhej mrekulli për fëmijët e kryeqytetit.

Deklarata e plotë:

Erion fasada ka dalë përsëri sot me kasetën e radhës, të bëjë gjoja sikur ka investuar në çerdhe dhe kopshte në Tiranë.

Për cilat kopshte dhe çerdhe flet Erion fasada? Për ato që nuk kanë kapacitetet që përmbushin nevojat e popullsisë në Tiranë? Për ato që kanë nga 40 – 50 fëmijë në një grup? Për ato ku një numër i madh fëmijësh duhet të përballohen nga 2 edukatore, duke e bërë të pamundur procesin e mësimdhënies dhe nxënies, pavarësisht dëshirës dhe aftësive të edukatoreve.

Erioni që funksionon vetëm me regjistrim, nëse nuk do të harxhonte kaq shumë para për fasadë dhe propagandë, do kishte ndërtuar çerdhe e kopshte të reja në Astir, në Fresk apo tek Liqeni i Thatë, zona që popullohen kryesisht nga familje të reja me fëmijë që frekuentojnë institucionet parashkollore.

Por pavarësisht fasadës së Erionit, realiteti na tregon çdo ditë një gjë tjetër:

Nxënësit e shkollës “Sami Frashëri” na tregojnë se u deshën 4 vitë për rikonstruksionin e shkollës së tyre, ndërkohë që kullat me firmën e Erionit ngrihen brenda vitit; nxënësit e shkollës “17 Shkurti” na treguan se u deshën 3 vite e gjysëm për të rikonstruktuar shkollën, por lejet për ngritjen e kullave jepen brenda natës; nxënësit në Yzberish na treguan se presin që nga 2015 ndërtimin e një shkolle për ta, por ende nuk janë hedhur as themelet, sepse Erioni paguan nga taksat tona 80.000 Euro/muaj për inceneratorin që nuk ekziston.

Çfarë bën Erion me taksën e arsimit, 1500 lekë që ia vjel çdo familjeje në Tiranë, çdo muaj?

Të gjithë shqiptarët e dinë që Erioni shet vetëm fasada dhe propagandë. Të gjithë e dimë që Erioni vetëm mashtron. Të gjithë e dimë që Erioni vetëm vjedh.

Me buxhetin e Bashkisë së Tiranës, 350 milionë Euro çdo vit, një administrator i mirë, i ndershëm, transparent dhe llogaridhënës ndaj atyre që e kanë zgjedhur, do të bëntë mrekulli për fëmijët tanë; Erioni nuk e bën dot, sepse Erioni nuk është në krye të asaj bashkie për ne, për qytetarët, por për interesat e tij, të Edi Ramës dhe oligarkëve të kullave, që po mbysin çdo ditë jetën e qytetarëve të Tiranës.

Prandaj 14 Maji është një mundësi e artë për kryeqytetasit, për t’a bërë Tiranën të jetueshme për fëmijët, të rinjtë, të moshuarit e familjet e reja, për t’a bërë realisht Tiranën kryeqytetin e Shqipërisë e për t’a bërë atë një qytet ku secili nga ne, gjen së paku një mundësi.