Vendosni fjalën kyçe....

Rama në prezantimin e strategjisë për Tiranën: Sipërmarrësit të rrisin rrogat e punonjësve, të frenojmë ikjen


Kryeministri Rama u ka bërë thirrje binzeseve që të rrisin pagat për punonjësit për të frenuar largimin e tyre jashtë vendit.

Gjatë prezantimit të strategjisë për Tiranën, ku ishte edhe kryebashkiaku Veliaj, Rama tha se edhe pse Shqipëria nuk konkurron dot Gjermaninë për pagesa, sërish sipërmarrësit duhet të bëjnë më shumë për të frenuar largimet.

Nuk është e pamundur që të bëjmë më shumë hap pas hapi dhe të synojmë me patjetër që njerëzit tanë në vendin tonë, qofshin ata në sektorin publik apo privat, të mos ndodhen të pavlerësuar, sfiduar ditë-natë nga mundi i pashpërblyer dhe nga stresi i tundimit për t’u larguar. Ne nuk hyjmë dot në konkurrencë as me Gjermaninë apo vendet e tjera të destinacionit të atyre që largohen kur vjen puna tek shpërblimi i fundit të muajit. Ne kemi detyrën dhe mundësinë që të hyjmë në një ndërveprim shumë të hapur mes të gjitha palëve për të garantuar që njerëzit në të gjitha fushat e jetës të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendi. Sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë, sepse duke shtrënguar dorën më shumë se çduhet dhe në vijimësi dhe duke i lënë gjithmonë të fundit ata që në fakt janë të parët fare, pagat për të punësuarit e vet, faktikisht i ka hapur vetes një gropë që nëse nuk nxiton ta mbyllim sot, do bëhet e pambyllshme edhe për disa vite, një gropë që vjen si rezultat i humbjes së kapitalit njerëzor. Sipërmarrja nuk mund të vazhdojë t’i japë një pjesë të pagës përmes bankës, një pjesë nën dorë, ti nënpaguajë punonjësit më raport me atë që është produktiviteti i vet.” – tha Rama.