Një grup aktorësh dhe donatorësh të tjerë politikë të Hollivudit thuhet se kanë argumentuar se presidenti Joe Biden duhet të heqë Kamala Harris nga posti i zëvendëspresidentes, duke zgjedhur një kandidat të ri kur ai të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024.
Në një telefonatë të fundit në Zoom me ish-senatoren amerikane Barbara Boxer, një demokrate nga Kalifornia, aktorë dhe drejtues të Hollivudit pohuan se Harris do dëmtonte mundësitë e Biden për të fituar një mandat të dytë, raportoi CNN të dielën.
Pjesëmarrësit në thirrje përfshinin aktorët Helen Hunt, Ron Livingston dhe yllin e ‘Beverly Hills 90210’, Gabrielle Carteris, tha CNN, duke cituar dy persona të paidentifikuar.
Donatorët e pyetën Boxer-in se si mund ta bindin Biden të zëvendësojë Harrisin.
“Nëse ndiheni kështu, duhet ta njoftoni Biden”, u përgjigj ish-senatorja.
Gati shtatë në dhjetë votues amerikanë (68%) besojnë se Biden, 80 vjeç, është shumë i vjetër për të kërkuar rizgjedhjen, sipas një sondazhi të Yahoo News/YouGov të publikuar në fillim të këtij muaji. Ai do të ishte 86 vjeç në fund të mandatit të tij të dytë, nëse do i shërbente të katër vitet. Midis demokratëve, 48% e votuesve besojnë se Biden do të ishte shumë i vjetër, kundrejt vetëm 34% që nuk ishin dakord.
Duke pasur parasysh se zv.presidentja do ishte e radhës për presidencën nëse Biden nuk do ishte në gjendje të mbyllte mandatin e tij të plotë, kandidati për këtë post do tërhiqte një shqyrtim e vëmendje më të madhe. Harris shihet në mënyrë të favorshme nga vetëm 37% e votuesve, krahasuar me 43% të Biden, sipas Yahoo News/YouGov.
Edhe drejtuesit e Partisë Demokratike kanë treguar njëfarë ngurrimi për të mbështetur mbajtjen e Harrisit në listë për zgjedhjet e vitit 2024. E pyetur për këtë çështje në një intervistë radiofonike në janar, senatorja Elizabeth Warren, një ish-kandidate presidenciale, tha se nuk dëshiron ta shohë Harrisin si kandidate përsëri.