Mbrëmjen e djeshme telefonat e gazetarëve, politikanëve dhe juristëve vlonin nga një “indicio” sipas së cilës pritej fletë-arresti i Arben Ahmetajt (a.k.a “Tigri” ose “Tigli”).
Kjo është një shfaqje dhe histori tepër e vjetër ku sinkronizohen aksionet gjysmake të prokurorisë me oreksin e pafund të medias për t’i hedhur turmës prenë e radhës.
Ka ndodhur pak a shumë njësoj dhe me atë “drejtësinë e vjetër e të pareformuar” në dhjetëra raste, ku spikat sidomos rasti i Ardian Fullanit, i cili u arrestua me bujë të madhe, por pas disa muajsh mori pafajësinë dhe dëmshpërblimin.
I vetmi rast përjashtimor është ai i Saimir Tahirit, ai është i vetmi zyrtar i nivelit të lartë që nuk u arrestua deri në përfundim të gjykimit të formës së prerë.
Në fakt dhe legjislacioni penal shqiptar parashikon se përveç rasteve tejet të rënda të flagrancës, nuk është e nevojshme të arrestosh dikë nëse ky person nuk paraqet rrezikshmëri për prishjen e provave në proces.
Buja e djeshme e indicios se ndaj Ahmetajt ishte prerë fletë-arresti, është në vijim të një politike penale 30-vjeçare të prokurorisë e cila herë pas here ofron cirk dhe spektakël me pranga, e ku në shumicën dërrmuese të rasteve të arrestuarit marrin pafajësi në gjykatë.
SPAK-u, ndonëse në dukje një institucion i reformuar dhe profesional, është duke vazhduar tërësisht linjën e cirkut dhe spektaklit me pranga, duke marrë valencën e një institucioni që zbut instinktet e turmës më tepër se sa ndëshkon zyrtarët që kryejnë vepra penale.
Të njëjtin cirk dhe spektakël SPAK-u ka nxituar ta bëjë dhe me të arrestuarit e tjerë, ose me të shpallurit në kërkim të dosjes “Inceneratori”, kryesisht ata që njihen si “Grupi i Mirel Mërtirit”, pra me ish-miqtë dhe tashmë kundërshtarët e Ahmetajt.
Kjo prirje e SPAK-ut për t’i hedhur “mish” turmës, e për ta qetësuar për momentin, duket se është një lojë që flet për mungesën e profesionalizmit dhe përdorimin politik që i bëhet këtij institucioni, njëherë i nxitur nga Ahmetaj kundër Mërtirit dhe tashmë i nxitur nga pala tjetër që kërkon shpagim.
Ndoshta do të ishte e udhës që të akuzuarit e të gjitha palëve të kishin mundësinë të mbroheshin në gjykatë, Ahmetaj dhe Mërtiri, të dy njësoj para ligjit, e më pas nëse gjykata vendos dënime të fomës së prerë le të shkojnë te vëndi.
Në këtë mënyrë shmanget cirku dhe spektakli, të gjitha palët kanë mundësi të veprojnë e të sillen profesionalisht, ama jo duke linçuar ata që prangosen dhe duke i qarë hallin atyre që negociojnë arrestin e tyre në SPAK.
Jo më larg se një javë më parë, SPAK-u tejkaloi çdo kufi dhe kornizë, duke u sjellë si “Drama Queen” në raport me median.
Ky institucion akuzoi tërthorazi Adriatik Doçin (lexoje këtu) si njeriun që kishte intimiduar prokurorët e SPAK-ut. Pa analizuar ende nëse ka patur ose jo një intimidim nga ana e gazetarit Doçi, vlen të bëhen disa pyetje:
Si mundet që prokurorë të stërvitur për të hetuar peshkaqenë, të intimidohen nga kolegu ynë Tiku?
Si mund të ndodhë kjo idiotësi?
Si mund të thuhet një idiotësi e tillë?
Si mundet që prokuroria më e fuqishme në vend të sillet si një “Drama Queen”?
Në fakt ndonëse njoftimi i prokurorisë shigjetonte me forcë gazetarin Adriatik Doçi, mes rreshtave ky njoftim fshihte me panik një ndryshim delikat në ecurinë e hetimeve:
Dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi nuk rezultonin më në krye të hetimeve të kësaj dosje, pasi siç njoftimi bënte të ditur, komandën e kishin marrë prokurorët Dumani-Millonai.
Në këto kushte lindin të tjera pyetje:
Nëse Adriatik Doçi i ka intimiduar këta dy prokurorë kur i akuzoi publikisht se kanë fshehur provat në të cilat vërtetoheshin prenotimet e Ahmetajt me kartën e kreditit të Zotos, pse e dhanë dorëheqjen nga çështja?
Pse nuk vërtetuan katërcipërisht që Adriatik Doçi i kishte stisur dhe prodhuar artificialisht provat dhe dokumentet, më pas ta bënin shembull Doçin?
Si mund të tërhiqen këta dy prokurorë, nëse nuk kanë gabuar në hetimet që kanë bërë?
Çfarë është duke mbuluar kreu i SPAK-ut, Altin Dumani me këto deklarata prej “Drama Queen” dhe pse pikërisht tani ky qëndrim viktimizues, pikërisht tani që po dalin në pah “indicio” të një loje të koordinuar 3 vjeçare të Ahmetajt me SPAK-un, me segmente të fuqishme të opozitës dhe bosëve të medias?
Si mundet që dy prokurorë që kanë rrasur në burg dhjetëra të akuzuar për inceneratorët, papritur heshtin dhe dorëhiqen, bashkë me ta hesht dhe opozita dhe bashkë me opozitën hesht dhe thuajse gjysma e medias?
Çfarë dinë këta që heshtin dhe që nuk e ditkemi ne të tjerët?
Të gjitha pyetjet e shtruara më sipër të bëjnë të kuptosh se kjo historia penale e inceneratorëve është një lojë shumë më serioze nga sa na është shitur deri tani, një lojë që nuk përfshin vetëm fatura të rënda ekonomike apo përplasje klanesh, por është një lojë që ndoshta ka përfshirë në një intrigë të hollë Ahmetajn bashkë me segmente të SPAK-ut, klane të fuqishme të opozitës dhe medias, një skemë tepër serioze dhe e rëndë, të cilën zor se mund të ketë këllqe ta hetojë me themeli ky SPAK në derexhenë profesionale ku ndodhet sot e në implikimin thuajse arbitrar me personazhet e lojës.
Por të paktën SPAK-u mund të bëjë diçka me vlerë, SPAK-u mundet që të mos na hapë barkun duke bërë si “Drama Queen”, kaq gjë mund dhe ta bëjë. / Hashtag.al