Pas gati 1 viti qeveria vendosi të rrisë sërish pagën minimale nga 34,000 lekë në 40,000 lekë. Paga minimale u rrit edhe në 2022 në vlerën e 2,000 lekëve nga 32,000 në 34,000 lekë.
Kryetari i ProEksport Albania Edvin Prençe tha për Monitor se nga ndryshimet përfituesi më i madh do të jetë shteti, ndërsa rritja do të rëndojë kostot e tyre.
“Me rritjen nga 1 prilli të pagës minimale gradualisht do të rritet paga edhe për punonjësit që paguhen 40,000 lekë, pasi nuk mund të jetë në nivele të njëjta me një punonjës që ka eksperiencë profesionale dhe produktivitet. Nivelin e pagës minimale e kalojnë 30 deri 40% e punonjësve të sektorit. Pra rritja dhe kostoja e një biznesi të sektorit do të jetë akoma më e lartë. Kjo do të jetë gropa më e madhe për sektorin fason. Rritja e pagës minimale rrezikon të kthehet në bumerang. Të vetmit që do të kenë përfitimin nga rritja 17,5 % e pagës minimale do të jenë të ardhurat e buxhetit. Në kahun tjetër është e nevojshme të bëhet kjo rritje, por që barra të mos rëndojë vetëm te biznesi duhet të shoqërohet me lehtësira fiskale, me qëllim që të rritet produktiviteti dhe konkurrueshmëria, në cilësi dhe makineri të reja”.
Janë rreth 47,000 mijë të punësuar në sektorin fason që preken nga rritja me 4,000 lekë e pagës minimale. Në fund të vitit 2021 sipas të dhënave të INSTAT numri i ndërmarrjeve në sektorin tekstil dhe veshje ishte 564 dhe numri i të punësuarve 27,062 punonjës. Në sektorin lëkurë dhe këpucë për 2021 ishin 219 ndërmarrje dhe 19,651 të punësuar.
Kryeatari i ProEskport Albania ngre shqetësimin se fabrikat fason po humbasin konkurrueshmërinë në raport me Maqedoninë e Veriut dhe Serbisë për shkak të rritjes së kostos.
Faktorët kryesorë të shtimit të kostove sipas tij janë rritje me 17,5% e pagës minimale, rënia e euros kur në shtetet fqinje si Serbia apo Maqedonia e Veriut kanë kursin e fiksuar dhe të mbrojtur me ligj, mungesa për punonjës dhe produktiviteti i ulët, amortizimi i impianteve prodhuese dhe rritja e karburantit që ndikon në shtim të kostos të transportit të punonjësve dhe të mallrave.
“Këto elementë na bëjnë jo vetëm të humbasim konkurrueshmërinë në Ballkan, por edhe kontratat afatgjate dhe solide me brandet europiane, që po orientohen drejt vendeve afrikane apo Uzbeksitan me çmime më të ulëta dhe më shumë punonjës se manifaktura Made in Albania e veshjeve dhe këpucëve”, pohoi Prençe.
Sektori fason është përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit dhe krahu i lirë i punës ka qenë baza kryesore e mbështetjes së eksporteve shqiptare.
Sipas Anketës Strukturore të INSTAT, shpenzimet e personelit për tekstile dhe veshje përbëjnë 44% të totalit të shpenzimeve dhe për këpucët 41%, ndërsa fitimet e kompanive janë të ulëta. Kjo krahasohet me 9% që janë shpenzimet për paga për të gjithë prodhuesit në treg. /D.Azo
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor