Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka ftuar të martën Kosovën dhe Serbinë, që ta shfrytëzojnë propozimin e Bashkimit Evropian për të normalizuar marrëdhëniet, sipas REL.
Në një takim me korrespodentët e agjencive evropiane të lajmeve, von der Leyen ka thënë se pret që këto dy vende ta shfrytëzojnë rastin në takimet e radhës, ashtu që të japin kontribut për stabilitetin e rajonit, si dhe në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
“Kemi një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se ai përbën një rast për të dyja palët që ta shfrytëzojnë momentumin, sepse normalizimi është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit“, ka thënë shefja e BE-së.
Ajo ka thënë se pret që palët të jenë konstruktive në takimet e radhës.
“Shpresoj që të dyja palët do të jenë shumë konstruktive në takimet që do të zhvillohen së shpejti“.
E pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në këto takime, ajo ka thënë se “së pari duhet zhvilluar negociatat, e pastaj duhet parë rezultatet“.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, do të takohen më 18 mars në Ohër.
Në takimin e fundit më 27 shkurt në Bruksel, zyrtarët evropianë kanë thënë se palët janë pajtuar, në parim, për përmbajtjen e propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.