Udhëheqësit ushtarakë tajvanezë thuhet se kanë paralajmëruar se forcat kineze po përgatiten për një ‘bllokadë të plotë’ të ngushticës së Tajvanit për të parandaluar hyrjen e trupave të huaja në ishullin vetëqeverisës në rast të një lufte.
Shpenzimet e mbrojtjes këtë vit duhet të përqendrohe në kërcënimin e bllokadës, duke caktuar fonde për grumbullimin e pjesëve rezervë për avionët luftarakë F-16 dhe armë të tjera, tha të hënën Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, në një raport që kërkon miratimin e buxhetit parlamentar. Që nga viti i kaluar, ministria ka rishikuar rezervat e saj strategjike të karburantit dhe kapacitetin e saj për të riparuar pajisjet, tha Reuters, e cila mori një kopje të raportit.
Ushtria tajvaneze gjithashtu do duhet të plotësojë rezervat e saj me predha artilerie dhe raketa ‘për të forcuar vazhdimësinë luftarake’, tha ministria. Ushtria e Kinës ka kryer operacione të përbashkëta të forcave ‘me synimin për të kontrolluar pikat strategjike dhe bllokimin e hyrjes së forcave të huaja’.
Tensionet rreth Tajvanit, të cilën Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj, janë përshkallëzuar që kur kryetarja e atëhershme e Kongresit, Nancy Pelosi, udhëtoi në Taipei gushtin e kaluar. Pekini, i cili kishte paralajmëruar se një vizitë e tillë do të nxiste separatistët tajvanezë dhe do minonte sovranitetin e tij, u përgjigj duke shtuar stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit dhe duke ndërprerë lidhjet e mbrojtjes dhe klimës me Uashingtonin.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se buxheti i saj për këtë vit duhet t’i japë përparësi financimit për armët e prodhuara në SHBA, duke përfshirë raketat anti-ajrore Stinger dhe sistemin raketor të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë M142 (HIMARS).
Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të hënën për kthimin e ushtrisë së Kinës në një ‘mur të madh çeliku’ për të mbrojtur interesat e Pekinit dhe për të ofruar stabilitet dhe siguri më të madhe. Ai e ka lënë të hapur ribashkimin me Tajvanin duke përdorur forcën, nëse është e nevojshme.
Shpenzimet e mbrojtjes së Kinës do rriten në 230 miliardë dollarë këtë vit, 7.2% më shumë nga buxheti i vitit 2022. Kryeministri i atëhershëm kinez Li Keqiang u zotua në fillim të këtij muaji të ‘ndërmarrë hapa të vendosur për të kundërshtuar pavarësinë e Tajvanit”.