Thellohet skandali, pas Dritan Prençit edhe gjyqtarja Irena Gjoka fshehu provat për implikimin me trafikantët e drogës të prokurorit të SPAK


Nga Endrit Habilaj

Dritan Prençi nuk veproi i vetëm për të mbuluar gjurmët e përfshirjes së prokurorit të SPAK, Ened Nakuçi në grupin e strukturuar kriminal të trafikut të drogës drejt Italisë, që u shkatërrua në kuadër të dosjes ‘Shpirti’. Manovrat e prokurorit të SPAK-ut me dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Mariglen Shusha u bekuan edhe nga gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka.

Kjo e fundit është bashkëautore e drejtpërdrejt të shmangies së hetimeve për Ened Nakuçin, pasi si gjyqtare paraprake në këtë çështje pranoi kërkesat e depozituara nga Dritan Prençi dhe me, apo pa vetëdije nuk e urdhëroi prokurorin që të hetonte implikimin e mundshëm të Nakuçit, sipas dëshmisë së dhënë nga i penduari i drejtësisë. 

Mariglen Shusha tregoi më 4 dhjetor 2019 para prokurorit Dritan Prençi gjithë aktivitetin e grupit kriminal në detaje dhe lidhjet e tyre në institucionet ligjzbatuese, përfshirë këtu edhe në sistemin e drejtësisë. Ai rrëfen se si ndërhynë te Prokuroria e Krimeve të Rënda në 2015-n, që dosja e kapjes së 808 kilogramëve hashash në Radhimë të transferohej nga kjo prokurori te Prokuroria e Vlorës.

Dosjen te Krimet e Rënda e kishte prokurori Ened Nakuçi. Shusha thotë se kanë zhvilluar takime në Tiranë dhe Fier me disa ndërmjetës për të ndërhyrë te prokurori i çështjes dhe sipas dëshmisë së tij, për transferimin e dosjes janë paguar deri në 200 mijë euro.

Nakuçi nuk e transferoi dosjen te Prokuroria e Vlorës, por pak muaj më vonë pezulloi hetimet për mungesë provash për të identifikuar autorët. Në dosjen shqiptare, që u hetua nga prokurori Dritan Prençi kjo pjesë e dëshmisë së tij është censuruar. Aty citohet Maksim Sota, por jo Ened Nakuçi.

 

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e VoxNews.al