Pfizer ka ofruar të zgjasë kontratën e saj të vaksinës Covid-19 me Bashkimin Evropian ndërkohë që zvogëlon dërgesat, por ende pret që blloku të paguajë miliarda euro për doza të papërdorura në mes të një teprice të madhe të furnizimit në disa vende, raportoi Financial Times.
Oferta shkaktoi zemërim nga një pjesë e vogël e shteteve anëtare, të cilët thonë se marrëveshja do t’i shërbente interesave të kompanive të mëdha farmaceutike në kurriz të qytetarëve të tyre.
Zgjatja e kontratës do e shtyjë marrëveshjen e vaksinës deri në vitin 2026, me një palkësim të propozuar prej 40% në numrin e dozave të furnizuara si dhe vonesa në dërgesat, raportoi Times të martën, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar.
Megjithatë, pavarësisht shkurtimeve të sugjeruara, gjiganti farmaceutik amerikan ende këmbëngul që të paguhet për numrin e plotë të dozave për të cilat ishte rënë dakord fillimisht, shumë prej të cilave nuk do prodhoheshin kurrë sipas kushteve të reja.
Ndryshimet në marrëveshje, teksti i plotë i së cilës nuk është bërë kurrë publik, u prezantuan nga Komisionerja Evropiane e Shëndetësisë Stella Kyriakides gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Bruksel të martën, por ato u përballën me kundërshtime nga disa anëtarë të BE-së.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit, zyrtarë nga Bullgaria, Hungaria, Lituania dhe Polonia thanë se nuk do e nënshkruajnë marrëveshjen me ndryshimet e propozuara, pasi ato ‘nuk paraqesin një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë për problemet e tepricave të vaksinës Covid-19 dhe nuk plotësojnë nevojat e sistemeve të kujdesit shëndetësor, nevojat e qytetarëve dhe interesat financiare të shteteve anëtare’.
Ministri polak i Shëndetësisë Adam Niedzielski argumentoi se propozimi i Pfizer do favorizonte gjigantët farmaceutikë dhe ka bërë thirrje që kontrata e fshehtë të publikohej, duke vënë në pikëpyetje rolin që luajti presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në negociatat për marrëveshjen e madhe të vaksinës.
Një mbikëqyrës i BE-së nisi një hetim në procesin e negociatave dhe prokurimit në fund të vitit të kaluar, pasi zyra e von der Leyen nuk shfaqi mesazhet personale të saj me shefin e Pfizer, Albert Bourla, gjatë bisedimeve për gati 2 miliardë doza vaksinash, duke nxitur akuza për korrupsion.
Blloku prej 27 anëtarësh fillimisht nënshkroi një kontratë të përbashkët me Pfizer në vitin 2020, por që kur pandemia u tërhoq, kërkesa për vaksina ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, duke lënë një tepricë në të gjithë kontinentin. Disa vende janë detyruar të hedhin vaksinat, me vetëm Gjermaninë që ka hedhur rreth 36.6 milionë doza.