Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi thirrje partive: Caktoni kandidatë të pastër ligjërisht për zgjedhjet e 14 majit


Kreu i KQZ-së Celibashi u ka bërë thirrje partive që garojnë në zgjedhjet e 14 majit që të paraqesin kandidatë të përshtatshëm e me integritet.

Sipas tij, zgjedhja e kandidatëve të pastër ligjërisht është thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Ai e bëri thirrjen gjatë një tryeze me temë ‘Mbrojtja e integritetit zgjedhor në Shqipëri’.

“Thelbësore është që kandidatët që do t’u paraqiten qytetarëve të jenë individë të përshtatshëm e me integritet që t’u shërbejnë interesave të zgjedhësve. Një kandidat i përshtatshëm zotëron kualifikime, zotësitë dhe atributet e nevojshme për të mbajtur poste publike, janë individë që kanë një histori të dëshmuar të sjelljes së tyre etike, integritetit dhe respektit për shtetin e së drejtës. Dikush që është i aftë të marrë vendime që të ndihmojë e bashkëpunojë me zgjedhësit. Zgjedhja e kandidatëve të pastër ligjërisht është thelbësore për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Këta individë kanë më shumë gjasa të mbështesin parimet e demokracisë dhe të veprojnë në interesin më të mirë të zgjedhësve të tyre e të punojnë me zyrtarë të tjerë në interes të qytetarëve. Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm me rekorde të shkeljes së ligjit, veçanërisht në atë penal mund të ketë pasoja të rënda për procesin demokratik. Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm mund të çojë në një sërë pasojash të rënda përfshirë korrupsionin dhe nepotizmin.” – tha Celibashi.

Po kështu ai tha se duhet bërë kujdes për sa i përket përdorimit të të dhënave personale të qytetarëve.

“Kjo gërryen besimin e publikut në procesin zgjedhor e minon legjitimitetin e qeverisë së zgjedhur qoftë qendrore dhe ajo lokale. Shkeljet ose keqpërdorimi i të dhënave mund të dëmtojë qytetarët dhe të rrezikojë integritetin e procesit zgjedhor. Përdorimi i të dhënave mund të çojë në krijimin e profileve digjitale të votuesve që mund të përdoret për t’i targetuar ata me mesazhe të personalizuara politike dhe elektorale. Ky lloj shenjestrimi mund të jetë ndërhyrës dhe manipulues.” – shtoi kreu i KQZ-së.