Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka sqaruar sot në Kuvend prezencën e DEA-s në Shqipëri.
Duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve, ai tha se nuk bëhet fjalë për një zyrë, por për një person permanent.
“E para njëherë ajo nuk është zyrë, por një person që DEA e ka caktuar të jetë permanent në Tiranë. Deri më sot ne bashkëpunonim me DEA-n përmes zyrës që ka në Athinë. Si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit që kemi pasur dy vitet e fundit me këtë zyrë dhe si nevojë për të qenë në një nivel bashkëpunimi të sinkronizuar, të dy dhe DEA dhe Policia e Shtetit, ranë dakord që të kishte një person që do të ishte rezident në Shqipëri që do të bashkëpunonte me Policinë e Shtetit dhe me SPAK”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
Lidhur me numrin e vënë në dispozicion nga kjo agjenci, ministri Çuçi deklaroi se kjo është plotësisht e koordinuar me Policinë e Shtetit dhe SPAK.
“Sa i përket numrit, është e koordinuar plotësisht me Policinë e Shtetit dhe me SPAK-un sepse informacionet për të shkuar më tej në një proces hetimor do të ndahen me Policinë e Shtetit dhe me SPAK. Nuk është për t’u shqetësuar prezenca e një përfaqësuesi, por është shenjë bashkëpunimit në nivelin më të lartë”, deklaroi Ministri i Brendshëm.