Vendosni fjalën kyçe....

Izraelitët vazhdojnë mitingjet antiqeveritare nën moton ‘rezistenca në rritje’


Mijëra izraelitë të enjten pritet t’i bashkohen tubimeve antiqeveritare në të gjithë Izraelin, duke protestuar ndaj planeve të qeverisë për të shkaktuar ndryshime rrënjësore në strukturën e autoritetit gjyqësor të Izraelit, sipas AA.

Tubimet e së enjtes u mbajtën nën flamurin e “rezistencës në rritje” me mitingun kryesor që u zhvillua në qytetin qendror të Tel Avivit.

Tubimet vijnë pasi kreu i opozitës izraelite, Yair Lapid, ra dakord mbi propozimin e presidentit izraelit Isaac Herzog për të zgjidhur krizën në vazhdim, ndërsa qeveria izraelite e refuzoi atë.

Të mërkurën, Herzog paraqiti një plan të modifikuar për të reformuar gjyqësorin, pasi plani origjinal i paraqitur nga qeveria ndezi një ndarje të madhe brenda shoqërisë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, megjithatë, njoftoi refuzimin e tij ndaj planit të Herzogut dhe tha në një postim në Twitter se “çdo përpjekje për të arritur një mirëkuptim dhe bisedë është sigurisht e përshtatshme … por për fat të keq çështjet e paraqitura nga presidenti nuk u pajtuan nga përfaqësues të koalicionit”.

Gjatë një fjalimi më herët të mërkurën, Herzog paralajmëroi për shpërthimin e luftës civile në Izrael në dritën e ndarjes së mprehtë në shoqërinë izraelite për shkak të planit të qeverisë që dobëson autoritetin e gjyqësorit.

Në dy muajt e fundit, mijëra izraelitë kanë dalë në rrugë për të protestuar ndaj planeve të Netanyahut për rinovim gjyqësor, të parë nga opozita si një përpjekje për të zvogëluar kompetencat e autoritetit gjyqësor në favor të autoritetit ekzekutiv.

Propozuar nga Ministri i Drejtësisë Yariv Levin, reforma, nëse miratohet, do të ishte ndryshimi më radikal ndonjëherë në sistemin e qeverisjes në Izrael.

Ndryshimi i planifikuar do të kufizonte rëndë fuqinë e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, do t’i jepte qeverisë fuqinë për të zgjedhur gjyqtarët dhe do t’i jepte fund emërimit të këshilltarëve ligjorë në ministri nga prokurori i përgjithshëm.

Megjithatë, Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, këmbëngul se plani i tij gjyqësor do të përmirësonte demokracinë dhe do të rivendoste ekuilibrin midis pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.