Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin vjetor të prodhimit e trafikimit të kokainës në rang global. Sipas raportit, prodhimi i kokainës është rritur me 35 për qind në periudhën 2021-2022 duke arritur nivele rekord.
Në raport përmenden grupet shqiptare, të cilat sipas tij luajnë rol të rëndësishëm në tregun botëror të drogës.
Sipas raportit ‘nga Holanda kokaina shpërndahet më tej drejt vendeve të tjera evropiane dhe grupet shqipfolëse duket se luajnë një rol të rëndësishëm në këtë, veçanërisht në trafikimin drejt Italisë e Shqipërisë’.
Më tej në të njëjtën pjesë shtohet se destinacioni i rëndësishëm i dërgimit të kokainës është drejt Britanisë ku grupet shqipfolëse ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm në tregun e drogës.
Në raport theksohet se në portin italian të Gioia Tauro në Kalabri, janë sekuestruar në vitin 2021 14 ton kokainë ndërkohë që droga e gjen rrugën e saj për në Evropë përmes grupeve të njohura Ndrangheta e Camorra si dhe grupet kriminale shqipfolëse.
Një tjetër gjetje e raportit që ka të bëjë me Shqipërinë është veprimtaria e grupeve kriminale shqipfolëse në Irlandë, të cilat thuhet se po konkurrojnë me grupet irlandeze.
Ndërkohë grupet ballkanike të trafikut të drogës, mes të cilave edhe ato shqipfolëse qëndrojnë pas ekzekutimeve që kanë të bëjnë me rrjetin e drogës në Mal të Zi, Serbi e Shqipëri.
Gjetjet sugjerojnë se qendra të reja për trafikim janë shfaqur në Afrikën Perëndimore e atë Qendrore.
Raporti tha gjithashtu se trafikantët po përdornin më shpesh shërbimet postare ndërkombëtare për të çuar drogën te konsumatorët. Tregjet më të mëdha të kokainës mbeten ende Evropa dhe Amerika e Veriut.
Raportin e plotë të OKB-së e lexoni këtu: Raporti