Kandidati i opozitës për Bashkinë e Vorës në zgjedhjet e 14 majit Indrit Hoxha ka denoncuar akuzuar kryeministrin Rama lidhur me ato që i quan kurthe të panumërta të kreut të qeverisë në bashkëpunim me ‘veglat e tij në drejtësi’ për të penguar PD-në e Berishës të hyjë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në një shënim tijin, Hoxha, i cili është njëkohësisht Sekretar për Diasporën në PD, thekson se ndërsa në çdo vend tjetër zgjedhjet lokale janë rutinë, në Shqipëri ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe krizën e demokracisë shqiptare e fakton më së miri heterogjeniteti i koalicionit opozitar që ka bërë bashkë shumë parti të spektreve të ndryshme.
“Në minutën e fundit i kemi mbijetuar të gjithave kurtheve të panumërta që regjimi i Tiranës, bashkë me veglat e tij të drejtësisë, apo sistemit të administrimit të zgjedhjeve i kanë ngritur Partisë Demokratike dhe aleatëve të opozitës së vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë. Janë zgjedhje lokale të cilat në çdo vend të Europës janë rutinë në kronikën politike, por për Shqipërinë ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Heterogjeniteti i këtij koalicioni dëshmon faktin sesa e thellë është kriza e demokracisë shqiptare dhe institucioneve të saj dhe sa transgresale është kjo përgjigje nga partia e qendrës së majtë e Ilir Metës tek demokristianët apo partia e minoritetit grek. ‘Koalicioni Bashkë Fitojmë’, për shkak të përbërjes dhe momentit që zhvillohen këto zgjedhje ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, për normalizimin e sistemit politik dhe demokracisë në vend. Së pari, si përbërje ‘Koalicioni Bashkë Fitojmë’ rreshton së bashku me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën faktorët realë, në vend, Partinë e Lirisë të ish-Presidentit Ilir Meta, Partinë Demokristiane, Partinë për të Drejtat e Njeriut, të cilët në pjesën më të madhe të kohës kanë qendruar në opozitë duke bërë bashkë kauza, çështje të mëdha të interesit publik.” – shkruan Hoxha.
Ai shton më tej se Rama nuk ka kursyer asgjë dhe askënd për të krijuar një system hibrid pa lidhje me parimet e standardet.
Hoxha vëren se Partia Demokratike, Sali Berisha si dhe shumica dërrmuese e demokratëve janë nën presion të jashtëzakonshëm ndërsa rithekson se koalicioni opozitar është përgjigjia më efikase ndaj përpjekjeve të Ramës.
“Edi Rama nuk ka kursyer të majtë, të djathtë, minoritarë në brutalitetin e tij për të krijuar një sistem hibrid, ku asgjë nuk ka të bëjë me parimet, asgjë nuk ka të bëjë me standardet. Asgjë nuk ka të bëjë me faktin se si një demokraci normale në rajonin tonë duhet të funksionojë. Së dyti, sa i përket kontekstit, Partia Demokratike dhe Sali Berisha si dhe shumica dërrmuese e demokratëve ndodhen në një presion të jashtëzakonshëm me lloj-lloj mjetesh me çdo formë apo institucion juridik mjeran nëpër trupa gjykues, vetëm dhe vetëm që forca e madhe elektorate e tij të mos matet dhe të neglizhohet në sistemin politik shqiptar. Ndaj ky koalicion është përgjigjja më efikase elektorale ndaj këtyre përpjekjeve, është një arritje madhore e demokracisë shqiptare dhe opozitarizmit në vend.” – shton Hoxha.
Në fund kandidati i opozitës për Vorën në zgjedhjet e 14 majit shkruan se koalicioni i gjerë ka ngërthyer në vete parti, elementë e faktorë të ndryshëm për t’i dhënë ajër demokracisë kundrejt kapjesë së çdo hapësire politike dhe shpartallimit të demokracisë 33 vite më pas.
Hoxha nënvizon se Berisha e aleatët jo vetëm janë bashkë jo vetëm politikisht në zgjedhje, por edhe kanë mbështetje të gjerë popullore për të siguruar mbijetesën e demokracisë dhe vitalitetin e saj.
“Së treti, lidhet me faktin që ky koalicion respekton pluralitetin dhe multidimensionalitetin e lëvizjes që prej 18 muajsh e udhëheq Sali Berisha, e cila ka grumbulluar rrugës faktorë dhe aktorë shoqërorë dhe politikë rë cilët shohin tek opozita dhe ‘Koalicionin Bashkë Fitojmë’ instrumentin e vëtëm për ta zhbllokuar sistemin politik dhe për t’i dhënë ajër demokracisë shqiptare kundrejt përqendrimit, apo kapjes së çdo hapësire politike dhe shpartallimit të çdo standardi demokratik 33 vite më pas, kur mendohej se shumë gjera janë të pakthyeshme, kur shumë gjëra janë të arritura dhe të fituara nga demokracia shqiptare. Së fundmi, kjo do të thotë Sali Berisha dhe aleatët e tij në këto zgjedhje, jo vetëm janë bashkë politikisht, jo vetëm që kanë një mbështetje të gjerë popullore, jo vetëm janë bashkë për të prodhuar një cilësi të re por mbi të gjitha sigurojnë mbijetesën e demokracisë shqiptare por dhe vitalitetin e saj, e cila do ta gjejë zgjidhjen atje ku e gjeti 33 vite më parë në një parti si PD dhe një lider si Sali Berisha.” – mbyll reagimin Hoxha.