Kina ka bërë një hap të madh drejt qëllimit të saj për t’u bërë pjesëmarrëse në formësimin e rendit botëror, ka thënë ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger.
Diplomati veteran po komentonte marrëveshjen e fundit historike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, të cilën e ndërmjetësoi Pekini.
Riadi dhe Teherani ranë dakord të rivendosin marrëdhëniet diplomatike, pas një pauze shtatëvjeçare, gjatë bisedimeve në Pekin një javë më parë. Në komentet e cituara nga Washington Post të enjten, Kissinger tha se zhvillimi është ‘një ndryshim thelbësor në situatën strategjike në Lindjen e Mesme’.
Sauditët, të cilët kanë qenë ndër aleatët më të ngushtë të Uashingtonit në Lindjen e Mesme për dekada, ‘tani po ekuilibrojnë sigurinë e tyre duke vënë SHBA-në kundër Kinës’, shpjegoi ai.
Sipas Kissinger, veprimet e Riadit janë të krahasueshme me atë që ai vetë arriti në fillim të viteve 1970, kur, si Sekretar Shteti në administratën Nixon, ai ndihmoi në arritjen e afrimit me Pekinin në mes të tensioneve të tij me Moskën.
Marrëveshja saudio-iraniane do t’i ndërlikojë gjithashtu gjërat për Izraelin, pasi ‘presioni ndaj Iranit tani do të duhet të marrë parasysh interesat kineze’, shtoi ai.
Izraeli mbetet gjithnjë e më i shqetësuar për programin e pretenduar të armëve bërthamore të Teheranit dhe ka paralajmëruar për sulme të mundshme parandaluese kundër objektivave iraniane.
“Kina ka deklaruar vitet e fundit se duhet të jetë pjesëmarrëse në krijimin e rendit botëror. Tani ka bërë një lëvizje të rëndësishme në atë drejtim duke bindur Arabinë Saudite dhe Iranin të negociojnë.” – tha Kissinger.
Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi në fillim të kësaj jave se Pekini duhet ‘të marrë pjesë në mënyrë aktive në reformën dhe ndërtimin e sistemit të qeverisjes globale’ dhe të nxisë ‘nismat globale të sigurisë’. Duke vepruar kështu, Kina do i shtojë ‘energji pozitive paqes dhe zhvillimit botëror’, shtoi ai.