Deputeti i PD-së Gazment Bardhi i ka bërë thirrje presidentit Begaj që të marrë informacione lidhur me emrin e propozuar nga kryeministri Rama për kreun e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Bardhi thekson se Hyseni është shkarkuar në Kosovë nga presidentja Osmani e kryeministri Kurti në kohën që mbante postin e zv.shefes së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës.
Ai i kërkon kreut të shtetit që të informohet nga autoritetet e Prishtinës mbi arsyet e largimit të saj nga posti.
“Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.
Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë.
Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare” – shkruan Bardhi.