Kryeministri Edi Rama duket se ka bërë prapaktheu në idenë për marrjen e punonjësve nga jashtë për disa sektorë të ekonomisë.
Në një takim me sipërmarrës për të nxitur rritjen e pagave për punonjësit, Rama kërkoi rritjen e rrogave pasi në një të ardhme në disa sektorë nuk ka profesionistë që do punojnë.
Rama tha se do vijojnë të marrin punonjës të huaj por nuk bëhet shtëpia me miell hua.
“Turizmi s’ka nevojë vetëm për vila, restorante, por ka nevojë për punonjës. Pronari nuk mund të pranojë që t’i japë 300 mijë lekë një punonjëse që është nga vendi, dhe t’i japë njërës nga Bali 1 mijë euro. Por duhet vlerësuar punonjësi vendas. nëse sot ka një problem dramatik, gjithë industria e fasonëve është se nuk ka menduar për këtë ditë.
Në industrinë e fasonerive ka nga ata që kanë menduar për këtë ditë. Ato gratë që i ka marrë që në vitet 90 dhe i kanë paguar me pagë minimale i kanë marrë shpirtin të shtunë e të diel, se; na e kërkon Armani apo Versace, sot iu ka ardhur mosha e pensionit. me ke do i zëvendësojë? Me vajzat e tik-tok? Do vijnë vajzat që lozin në Tik-Tok në Kamzë, Paskuqan apo në Lezhë, në Vlorë ku kanë këto industrinë dhe do marrin makinën qepëse dhe do rrinë për 40 mijë lekë?
Ne do marrin dhe punonjës të huaj, por nuk bëhet shtëpia me miell hua. Dhe nuk jemi në kushtet e Gjermanisë. Ne kemi mundësi që t’i kthejmë shqiptarët. Nuk po them se do gjejnë rrogat e Gjermanisë këtu, por nëse ka paga të cilat kompensojnë bilancin dhe në fund t’i dalë llogaria qoftë më pak se në gjermani, i keni këtu. S’kanë ça bëjnë atje. Pse po ikin masivisht italianët? Sepse është gjeneratë tjetër dhe s’mund të pajtohet me këtë gjë. Jemi në një moment krize të përgjithshme që për ne i ka të dyja anët e medalje”, tha Rama.