Presidenti izraelit Isaac Herzog ka paralajmëruar se shteti hebre është në prag të luftës civile për shkak të reformave të propozuara gjyqësore nga qeveria e sapozgjedhur.
Mes protestave mbarëkombëtare, ai paraqiti një sërë reformash alternative, të cilat janë hedhur poshtë nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
“Ata që mendojnë se një luftë e vërtetë civile, me jetë njerëzore, është një kufi që nuk do ta kalojmë, nuk e kanë idenë,” tha Herzog në një fjalim video të mërkurën.
“Humnera është në largësi të prekshme tashmë”, vazhdoi ai, duke shtuar se ‘me çdo çmim dhe me asnjë mjet, nuk do e lejoj të ndodhë’.
Izraeli është tronditur nga protesta të vazhdueshme që kur Netanyahu njoftoi reformat e tij të propozuara në janar.
Këto ndryshime ligjore do lejonin parlamentin e Izraelit të anulonte vendimet e Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë votash, do i jepnin qeverisë më shumë pushtet në emërimin e gjyqtarëve dhe do kufizonin aftësinë e gjykatës për të rishikuar legjislacionin që e konsideron ‘të paarsyeshëm’.
Parlamenti të martën votoi për të çuar përpara një projektligj që do i lejonte ligjvënësit të anulonin vendimet. Votimi erdhi pasi qindra mijëra demonstrues dolën në rrugët e Tel Avivit, Jerusalemit, Haifës dhe qyteteve të tjera izraelite gjatë fundjavës për të kundërshtuar miratimin e tij.
Herzog, roli i të cilit është kryesisht ceremonial, u përgjigj duke propozuar një paketë alternative reformash.
Plani i Herzogut do e ndalonte gjykatën të rishikonte legjislacionin që e konsideron ‘të paarsyeshëm’, por do e lejonte atë të rrëzonte vendimet parlamentare me një shumicë prej dy të tretave të gjyqtarëve. Ndër kompromise të tjera, ai do lejonte gjithashtu parlamentin të anulonte vendimet, por vetëm me marrëveshjen e të paktën një dege tjetër të qeverisë.
Netanyahu hodhi poshtë planin e Herzogut, duke u thënë gazetarëve se ai ‘vetëm do përjetësonte gjendjen ekzistuese’.
Kundërshtimi i tij shkaktoi protesta të reja të mërkurën në mbrëmje, ndërsa demonstruesit u mblodhën në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv në një përpjekje për të penguar një udhëtim të planifikuar të kryeministrit në Berlin.
Kritikët e kryeministrit argumentojnë se ndryshimi ligjor do i lejonte Netanyahut të sundojë si autoritar dhe të miratojë legjislacionin që e mbron atë nga hetimet e vazhdueshme për korrupsion. Herog doli në anën e këtyre kritikëve javën e kaluar, duke i quajtur reformat ‘shtypëse’ dhe antidemokratike.
Në një apel përpara votimit të së martës, ai deklaroi se reformat kishin shkaktuar një ‘krizë kushtetuese dhe sociale’ dhe duhet të braktiseshin përpara se Izraeli të vuante ‘pasoja diplomatike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë’.