Zjarri shkatërrues i vitit 2019 në katedralen Notre-Dame de Paris ka çuar në një zbulim të ri në lidhje me metodat e përdorura për të ndërtuar monumentin ikonë, pasi ekspertët që drejtojnë përpjekjet për restaurimin e katedrales hetuan pjesë të fshehura më parë të ndërtesës.
Gjetjet u botuan në revistën PLOS ONE të mërkurën nga Maxime L’Heritier i Universitetit Paris 8 dhe ekipi i tij. Ata zbuluan se Notre-Dame de Paris mund të jetë katedralja e parë gotike e njohur që përdor kryesisht hekur për të lidhur gurët gjatë ndërtimit të saj.
Katedralja u ndërtua në mesin e shekullit të 12-të dhe ishte ndërtesa më e lartë e ngritur ndonjëherë në atë kohë, me qemerë që arrinin kulmin në 32 metra (104 këmbë) në lartësi.
Megjithëse kërkimet e mëparshme sugjeruan se ky rekord u arrit duke kombinuar një sërë risive arkitekturore, deri më tani, ekspertët ende nuk kishin një kuptim të plotë të materialeve të përdorura në ndërtim ose se sa rol luajti hekuri në këtë përpjekje.
Zjarri i vitit 2019, megjithatë, i ka lejuar arkeologët të kenë qasje në pjesë të papara më parë të Notre-Dame. L’Heritier dhe ekipi i tij ishin në gjendje të merrnin mostra të materialit nga 12 kapëse hekuri të përdorura për të lidhur gurët së bashku në pjesë të ndryshme të ndërtesës, duke përfshirë tribunat, korridoret dhe muret e sipërme.
Studiuesit përdorën një sërë metodash analize, duke përfshirë datimin me radiokarbon, si dhe analizat mikroskopike, kimike dhe metalurgjike. Ekipi zbuloi se kapëse hekuri u përdorën në fazat më të hershme të ndërtimit në vitet 1160, duke e bërë atë ndërtesën e parë të tillë që përdorte kapëse hekuri në të gjithë strukturën e saj.
Analiza ka çuar jo vetëm në një kuptim më të mirë të mënyrës sesi mjeshtrit muratorë parizianë e ndërtuan katedralen, por gjithashtu ka hedhur hollësi mbi furnizimin me hekur të oborrit të ndërtesës dhe qarkullimin, tregtimin dhe farkëtimin e hekurit në Parisin e shekujve 12 dhe 13.
Rindërtimi i katedrales Notre Dame de Paris pas zjarrit të 15 prillit 2019 është ende në vazhdim dhe pritet të marrë rreth njëzet vjet për t’u përfunduar. Megjithatë, përpjekjet e restaurimit kanë çuar në disa zbulime të rëndësishme.
Më parë, arkeologët kishin gjetur disa varre dhe një sarkofag të shekullit të 14-të – të dyja ‘me vlera të jashtëzakonshme shkencore’, si dhe pjesë të skulpturave të pikturuara që mendohet se janë pjesë e dekorimeve origjinale.