Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot të zbatojë vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për regjistrimin e Partisë Demokratike të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeajt në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i PL-së, Altin Kaziaj i kërkoi Celibashit të shtynte vendimin derisa çështja të shqyrtohet në Kolegjin Zgjedhor. Por kërkesa nuk u pranua nga Komisioneri Shtetëror.
“Ky vendim i KAS ngelet thjesht dhe vetëm teknikisht për tu zbatuar nga komisioneri Shtetëror. Është akti i një organi të parashikuar nga ligji për të vendosur për çështje të tilla. Për sa kohë ky organ ka vendosur regjistrimin si subjekt zgjedhor të PD-së, ngelet vetëm zbatimi i këtij vendimi. Vendos regjistrimin e PD-së me nënkryetar Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të PD-së për zgjedhjet e 14 majit”, tha Celibashi.