Ukraina ka thënë se Rusia ka nisur sulme me dronë në disa rajone të shtetit përgjatë natës, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrestim kundër presidentit rus, Vladimir Putin, për krime të supozuara të luftës, sipas REL.
Forca ajrore ukrainase ka thënë se Rusia ka nisur 16 sulme me dronë në orët e para të 18 marsit, dhe se 11 dronë janë rrëzuar nga sistemet ajrore për mbrojtje “në qendër, perëndim dhe lindje”.
Në mesin e zonave të shënjestruara ka qenë kryeqyteti, Kievi dhe rajoni perëndimor Lviv.
Serhiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të Kievit, ka thënë se mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar të gjithë dronët që janë nisur drejt kryeqytetit ukrainas, derisa Maksym Kozytskiy, guvernatori i rajonit të Lvivit, ka thënë se gjashtë dronë kanë shënjestruar atë zonë, dhe tre janë rrëzuar.
Shefi i stafit të Presidencës ukrainase, ka thënë se tre zyrtarë të lartë amerikanë për siguri kanë mbajtur një takim virtual me homologët ukrainas, për të diskutuar për ndihmën ushtarake për Kievin.
“Kemi diskutuar për ndihmë të nevojshme për shtetin tonë, në veçanti pajisje lëvizëse, armë dhe municion”, ka thënë Andriy Yermak në një postim në Telegram.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale “është i justifikuar” dhe se Putini “qartazi ka kryer krime lufte”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia i konsideron çështjet e ngritura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale si “të papranueshme” dhe ka thënë se Rusia, sikurse shumë shtete tjera, nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate.
Në Ukrainë, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky, e ka quajtur vendimin si “historik, nga i cili do të nisë përgjegjësi historike”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.