Të shtëna me armë janë konstatuar ditën e sotme në Prishtinë, ku një person ka ndërruar jetë nga të shtënat me armë zjarri dhe dy të tjerë janë plagosur me armë të ftohta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:20 në lagjen “Arbëria”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për mediat vendase.
“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.
Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ndërsa, dy persona të tjerë të lënduar (dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.