Forcat ukrainase që mbrojnë qytetin Bakhmut në Donbass, po mbështeten në armët ‘Maxim’ të epokës viktoriane, raportoi media britanike The Telegraph.
Pavarësisht se ka marrë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, Kievi thuhet se po përballet me mungesën e armëve dhe municioneve.
“Unë kam parë mitralozë ‘Maxim’ në pozicione të palëvizshme shumë here.” – tha një ushtar ukrainas për gazetën britanike. “Pavarësisht moshës, është një armë mjaft e frikshme. Gjëja kryesore është të mos harroni të shtoni pak ujë.”
E shpikur nga Hiram Stevens Maxim në 1884, ‘Maxim’ ishte mitralozi i parë plotësisht automatik në botë. Duke gjuajtur 600 fishekë në minutë, arma mbështetet në një xhaketë uji të rëndë rreth tytës së saj për të parandaluar mbinxehjen.
I vendosur mbi rrota hekuri dhe me peshë rreth 30 kilogramë përpara se të shtohen rripat e ujit ose municionit, duhet një ekuipazh prej katër personash për ta përdorur.
Mitralozët ‘Maxim’ u përdorën nga forcat koloniale britanike në Afrikë dhe nga forcat perandorake ruse në Luftën Ruso-Japoneze të 1904-1905. Ai tashmë konsiderohej i vjetëruar nga Lufta e Parë Botërore, me forcat britanike që përdorën mitralozin më të lehtë ‘Vickers’ në vend të tij.
SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës armë dhe municione me vlerë më shumë se 37 miliardë dollarë që nga sulmi ushtarak i Rusisë shkurtin e kaluar. Megjithatë, me pakësimin e rezervave perëndimore, këshilltarët amerikanë po udhëzojnë forcat ukrainase të ruajnë municionet e tyre nëse shpresojnë të kryejnë një kundërsulm këtë pranverë.