Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësi çeçen jep shpërblim për djegësit e supozuar të Kuranit


Kreu i Republikës Çeçene të Rusisë, Ramzan Kadyrov, ka ofruar një shpërblim bujar për ‘eliminimin’ e ushtarakëve të supozuar ukrainas që u kapën në video duke përdhosur një Kuran. Pamjet, të cilat zyrtari rus i ripostoi, tregojnë dy burra me uniforma ushtarake ukrainase duke përdorur faqe nga libri i shenjtë mysliman për të ndezur një zjarr.

Duke u shfaqur në Telegram të premten, Kadyrov këmbënguli se thjesht lëshimi i një ‘dënimi zyrtar të veprimit të parazitëve ukrainas që dogjën kohët e fundit faqe nga Kurani i Shenjtë’ nuk do mjaftonte.

“Unë shpall një shpërblim prej pesë milionë rublash (64950 dollarë) për eliminimin e këtij llumi.” – shkroi ai, duke shtuar se shpërblimi do të ishte dy herë më i lartë nëse përdhosësi kapet i gjallë.

Ai theksoi se çmimi mund të kërkohet në çdo moment në të ardhmen.

“Kurdo që të ndodhë, sot, nesër, pas një viti, paratë presin aty. Dhe pa marrë parasysh se kush e bën këtë: një togë, një grup, një person i vetëm, një ushtar ukrainas në llogore, paratë do t’i dorëzohen plotësisht.”

Në një postim të veçantë, Kadyrov u betua se nuk do lejonte askënd ta trajtonte tekstin e shenjtë të Islamit me një mungesë respekti të tillë. Ai shprehu shpresën se ndëshkimi i Zotit do t’u jepej blasfemuesve ‘nëpërmjet luftëtarëve tanë që duan t’ju shkatërrojnë më shumë sesa dëshironi të jetoni’.

Sipas Kadyrov, pamjet e fundit janë përfaqësuese të ideologjisë së shtetit ukrainas dhe ilustron natyrën e tij ‘fashisto-satanike’. Ai gjithashtu shprehu dyshimin se ndonjë nga burrat në video do kishte guxuar ta bënte këtë nëse do të kishte pasur një çeçen apo mysliman të vetëm aty.

Udhëheqësi çeçen gjithashtu përçmoi ‘të ashtuquajturit myslimanë që dyshohet se po luftojnë si pjesë e forcave të armatosura të Ukrainës’. Njerëz të tillë nuk mund të kenë asnjë justifikim për të anuar me ‘armiqtë e Allahut’, përfundoi Kadyrov.

Duke komentuar videon e diskutueshme, Ibrahim Aydin, një deputet nga partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim të Turqisë, i karakterizoi skenat në të si një ‘provokim dhe një sulm ndaj fesë sonë’. Ai megjithatë shprehu skepticizëm mbi vërtetësinë e pamjeve, duke i quajtur rrjetet sociale një burim jo të besueshëm.

Ndërkohë, përfaqësuesit ushtarakë dhe diplomatët ukrainas të enjten mohuan se personeli ushtarak i vendit ishte i përfshirë në incident.