Vendosni fjalën kyçe....

Vijon protesta në Bërxullë, banorët bllokojnë rrugën, tensione me efektivët e policisë


Ashtu si çdo fundjavë, protesta e banorëve të Bërxullës ka vijuar edhe sot.

Këtë të dielë duket se qytetarët kanë qenë më të vendosur, të cilët menjëherë kanë bllokuar rrugën sëbashku me fëmijët e tyre, duke i lënë mënjanë mikrofonat e mediave.

Protestuesit shprehen të indinjuar pasi ky është muaji i 6 i protestave por nga shteti nuk ka asnjë reagim për kërkesat e tyre, në lidhje me vlerën e pronave të tyre që iu prek projekti Thumanë-Kashar.

Sakaq efektivët e policisë kanë rrethuar banorët ndërsa u kanë kërkuar që të lirojnë rrugën vazhdimisht, edhe pse ata kanë refuzuar kategorikisht.

Këtë projekt rruge nuk e ka as AZHK as ARRSH, ato i hedhin topin njëra-tjetrës. Ku duhet të shkoj unë të kërkoj, rruga është pa projekt. Aktualisht që flasim është muaji i 6-të i protestës. Nuk është caktuar asgjë. Ne po sillemi njerëzisht dhe me edukatë në protestën tonë, ndërsa shteti bën sehir. Pse u ndryshua VKM për portin e Durrësit, për banorët e Bërxullës nuk ndryshon?

Do ta bllokojmë gjithë aksin, le të kalojnë nga Vora njerëzit. Ku del ky çmim 4 euro për tokën, kontrata e fundit ka qenë 52 euro për metër, e thotë ligji, nuk kam pse t’i drejtohem gjyqit. Shteti ka gjithë mundësinë ta zgjidhë këtë dhe nuk lëviz. Është çmenduri, nuk mund ta lejojmë. Ne do e përshkallëzojmë protestën çdo ditë, jo një herë në javë” deklaroi një prej banorëve.

“Nuk do lejojmë asnjë fadromë që të vijë në tokët tona. Shteti nuk do t’ia dojë për ne që kemi 6 muaj në rrugë. Kemi kaq kohë që nuk na zë gjumi natën. Na është sosur durimi, nuk vjen as ministria e Bujqësisë, as e Infrastrukturës, as Belinda nuk vjen të pyesë”, u shpreh një prej protestueseve