Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj në Mirditë: Mëkat politik që një pjesë e demokratëve të orientohen në një parti tjetër


Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj komentoi nga Mirdita koalicionin Berisha-Meta, duke thënë se kjo është thuajse një ndarje finale mes dy grupimeve të PD.

Alibeaj tha se ftesa ndaj grupit të Berishës për një kandidat në zgjedhje, nuk ishte për dobësi, por për të mirën e demokratëve.

Ai nuk ngurroi ta konsiderojë ndarje finale mes dy grupimeve të PD futjen e kandidatëve për kryebashkiakë të Sali Berishës në zgjedhje me logon e Ilir Metës.

“Është e pafalshme, është një mëkat politik që një pjesë të demokratëve t’i marrësh dhe t’i orientosh në një parti tjetër. Ky është fundi I ekzistencës së një partie, fundi I moralit politik. Si mundet që një shtëpi e madhe siç është PD që mund të ketë debate, ide të ndryshme, pikëpamje të ndryshme, por në fund duhet të mbeten te e njëjta çati.  Çdo akt, çdo veprim që i orienton, shtyn mezor një pjesë të demokratëve drejt një partie tjetër, të majtë, që nuk ka asgjë me moralin dhe vlerat e PD, kjo është një ndarje, duhet ta pranojmë, një ndarje thuajse finale”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se demokratët nuk kanë asnjë arsye përse mos të bëhen bashkë rreth 1 kandidati për ti bërë ballë luftës me pushtetin. Ai shtoi se dora e shtirië nuk ishte dobësi po për interesin e qytetarëve.

“Demokratët nuk kanë asnjë arsye përse mos të bëhen bashkë rreth 1 kandidati, më të mirin e mundshëm që ka treguar që vë interesin publik mbi atë personal, për të bërë ballë luftës me pushtetin. Mesa duket nuk po ndodh kështu, pavarësisht se shpresa vdes e fundit. Ne kemi mbajtur gjithmonë qëndrimin që po, dorë e shtrirë, po dorë e shtrirë jo si moment dobësie, por për interesin e qytetarëve, jo për interesin e njërës palë apo palës tjetër. Përsa kohë që halli është I njëjtë, korrupsioni, krimi, çështje që prekin çdokënd që nuk është në vorbullën e pushtetit, pse mos të bëhemi bashkë? Çdo sjellje tjetër tregon një gjë: Nuk ke qëllim për tu përballur me pushtetin, nuk i shërben interesave të njerëzve, por interesave personale të dikujt”, vijoi Alibeaj.

Në Mirditë, nga ku edhe i dha këto deklarata, Alibeaj pritet të kandidojë me kryetarin e degës lokale, Mark Ruçin, pavarësisht negociatave 4 mujore të strukturave atje për të dalë bashkë në zgjedhje, duke plotësuar kandidatët në të 3 bashkitë e qarkut të dytë më të rëndësishëm të veriut, Lezhës. Përballë tij, Sali Berisha ka zgjedhur përmes primareve kandidatin Arben Mëlyshi, i cili zyrtarisht regjistrohet nën logon e aleancës Meta-Dule-Ndoka.

Alibeaj pritet të bëjë publikë emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore, ndërsa deri më tani ka zbuluar emrat në rreth 20 bashki.