Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i mundshëm i Trump, Nju Jorku po përgatitet për trazira pas thirrjes së ish-presidentit për protesta


Policia e Nju Jorkut dhe Shërbimi Sekret Amerikan po përpiqen të përgatiten për arrestimin e mundshëm të Donald Trump në Manhattan, pasi ish-presidenti tha se priste të arrestohej këtë javë dhe u tha mbështetësve të protestonin, thanë burimet për The Post.

FBI, oficerët e Gjykatës Shtetërore dhe zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, janë mbajtur gjithashtu në lidhje me diskutimet e sigurisë, me autoritetet që po përgatitet për më të keqen pasi Trump, 76 vjeç, u kërkoi ndjekësve të tij që të ‘marrë në duar fatet e kombit’” në dritën e aktakuzës së afërt ndaj tij, thanë burimet policore.

“Ne do të përdorim të gjitha burimet tona në dispozicion,” tha një burim i policisë së Nju Jorkut të dielën, duke vënë në dukje se Grupi i Reagimit Strategjik i departamentit, i cili u përgjigjet trazirave civile dhe protestave të mëdha, ‘ka një rol në këtë agjenci dhe kur të jetë e nevojshme ata do të thirren’.

Zyrtarë nga disa agjenci u takuan të dielën dhe pritet të takohen sërish të hënën, sipas burimeve.

Trump shkroi në faqen e tij ‘Truth Social’ gjatë fundjavës dhe tha se ai pret të arrestohet të martën për një aktakuzë që rrjedh nga hetimi i vazhdueshëm i Bragg për paratë e supozuara të paguara për yllin e filmave porno Stormy Daniels para zgjedhjeve të 2016-ës. Daniels pretendon se ajo kishte një lidhje me Trump në vitin 2006, të cilën ai e ka mohuar.

Thirrja në internet e ish-presidentit për mbështetësit i ka vënë në gatishmëri autoritetet federale, shtetërore dhe lokale, sipas burimeve.

Burimet thanë se disa agjenci do takohen sërish të hënën për të diskutuar masat e sigurisë që përfshijnë kufizimin e qasjes së automjeteve në gjykatën e Manhatanit dhe vendosjen brenda dhe jashtë ndërtesës.

Zyra e Bragg nuk ka konfirmuar dhe as mohuar se një aktakuzë është e pashmangshme.

Por policia e Nju Jorkut tha se do jetë gati në rast se Trump akuzohet  dhe shpërthejnë trazira.

“Ne do ta trajtojmë atë si në çdo rast tjetër,” tha shefi i NYPD Kevin Maloney për The Post.

“Është zona e Manhatanit të poshtëm, gjithsesi ka gjithmonë shumë prani policie atje. Kështu që ne do mbikëqyrim gjendjen. Ne do kemi burime të bollshme. Do shohim se çfarë do sjellë e marta. Do kemi një kontroll të imtësishëm, jam i sigurt, gjatë gjithë kohës. Do sigurohemi që hyrja dhe daljet në gjykatë të jenë të sigurta dhe nëse protestuesit janë aty ne do mbështesim të drejtat e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Nëse nuk janë aty, edhe më mirë.” – shtoi ai.

Zyra e Bragg i referoi një kërkesë për koment të dielën policisë së Nju Jorkut dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit.

Një zëdhënës i Shërbimit Sekret tha: “Për të ruajtur nivelet më të larta të integritetit për operacionet tona, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë mbi planet specifike të mbrojtjes ose lëvizjet për ndonjë të mbrojtur të Shërbimit Sekret.”

FBI tha se nuk kishte asnjë koment.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby i tha Fox News të dielën se nuk kishte asnjë të dhënë të menjëhershme se do kishte protesta të dhunshme të planifikuara nga mbështetësit e Trump, por tha se Shtëpia e Bardhë po vëzhgonte situatën.

“Ne jemi gjithmonë duke mbikëqyrur gjendjen këtu sa më mirë që mundemi,” tha Kirby për gazetën. “Dhe padyshim që ne nuk duam të shohim ndonjë aktivitet të dhunshëm, sigurisht asgjë në atë masë që pamë gjatë sulmit në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar, por ne po e shikojmë këtë nga afër. Ne duam të shohim nëse ka protesta të çfarëdo lloji për ndonjë çështje dhe se ato janë paqësore,” shtoi ai.

Trump, duke shpallur arrestimin e tij të supozuar në një postim në Truth Social të shtunës në mëngjes, qortoi ‘rrjedhjet e paligjshme nga zyra e prokurorit të Manhattan-it të korruptuar dhe të motivuar politikisht’.

“Kandidati kryesor republikan & ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do arrestohet të martën e javës së ardhshme. Protestë, të rimarrim kombin tonë!” – shkroi ai.

“Ata po vrasin kombin tonë ndërsa ne rrimë e shikojmë. Ne duhet ta shpëtojmë Amerikën! Protestë, protestë, protestë!!!” – shtoi ai.

Trump shkroi sërish në Truth Social të dielën për të akuzuar Prokurorin e Qarkut të Manhattan-it Alvin Bragg për ‘sjellje të pahijshme prokuroriale’ dhe këmbënguli se ‘nuk kishte kryer asnjë krim, pikë’.

Avokati i Trump, Joe Tacopina tha se Trump po e bazonte kohën e arrestimit të tij të mundshëm në raportet e shtypit, por shtoi se zyra e Prokurorit të Qarkut nuk kishte komunikuar me të ose me pjesën tjetër të ekipit ligjor të ish-presidentit.

Ish-aktorja e filmave porno Stormy Daniels dyshohet se ka marrë më shumë se 130,000 dollarë në para përmes Michael Cohen, ish-avokatit të Trump, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës për të mos folur.

Në vitin 2018 Cohen u deklarua fajtor për shkeljen e ligjeve federale të financimit të fushatës në lidhje me pagesat dhe u dënua me tre vjet burg.

Të dy Cohen dhe Daniels në javët e fundit kanë dëshmuar përpara jurisë së madhe të mbledhur nga zyra e Prokurorit të Qarkut. Sipas raportimeve, një avokat që ka këshilluar më parë Cohen, Robert Costello, është ftuar nga prokurorët për të dhënë dëshmi të hënën pasdite.

Bragg, në një email drejtuar stafit të tij të shtunën, tha se zyra e tij nuk do të frikësohet nga thirrja e Trump për protesta.

“Partnerët tanë të zbatimit të ligjit do sigurojnë që çdo kërcënim specifik ose i besueshëm kundër zyrës do të hetohet plotësisht dhe se masat e duhura mbrojtëse janë marrë në mënyrë që të gjithë 1600 punonjësit tanë të kenë një mjedis të sigurt pune.” – i tha Bragg zyrës së tij, sipas një emaili të zbuluar nga gazetarja Breanna Morello.

“Ndërkohë, si me të gjitha hetimet tona, ne do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë dhe të drejtë dhe të flasim hapur vetëm kur është e përshtatshme.” – shkroi Bragg.

“Ne nuk tolerojmë përpjekje për të frikësuar zyrën tonë apo për të kërcënuar sundimin e ligjit në Nju Jork.” – shtoi ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Post