Gjykata e Posaçme ka vendosur ta mbajë me dyer të mbyllura gjyqin ndaj Emiljano Shullazit, Indrit Rusit, Indrit Taullait, Lulzim Berishës, Plarent Dervishajt e Viktor Imerajt, të cilët do ballafaqohen me dëshmitarin e penduar të drejtësisë Luftar Reçi.
Personat e lartërmendur akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt, ngjarje të ndodhura në vitin 2005. Kërkesa për zhvillimin e gjyqit me dyer të mbyllura sipas SPAK është bërë pasi cenohet siguria e Reçit dhe dëshmitarëve të tjerë në proces.
Ndërkohë ky vendim është kundërshtuar fort nga avokatët e të pandehurve.
“S’ka asnjë arsye të zhvillohet proces i mbyllur. S’ka të dhëna sekrete, pasi dëshmia e Reçit është e rreme. Procesi me dyer të mbyllura. Mjaft me publicitet” – ka thënë përfaqësuesja ligjore e Shullazit.
Reçi ka kundërshtuar në disa raste ballafaqimin e drejtpërdrejtë me Shullazin e personat e tjerë të cilët akuzohen për dy atentatet e lartpërmendura. Para pak javësh ai shkroi një letër ku theksonte se donte ta jepte dëshminë përmes ‘Skype’ pasi rrezikohej nga të pandehurit.