Vendosni fjalën kyçe....

Egjipti e Turqia bisedime për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas 9 vitesh ndërprerjeje


Egjipti dhe Turqia po planifikojnë të zhvillojnë bisedime për rivendosjen e marrëdhënieve në nivel ambasadori në atë që mund të shënojë një afrim pas një dekade lidhjesh të prishura midis dy kombeve.

“Më vjen shumë mirë që po ndërmarrim hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve me Egjiptin… Do të bëjmë çmos që të mos i prishim më lidhjet tona në të ardhmen”, tha të shtunën ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu gjatë një vizite në Kajro. Homologu i tij egjiptian, Sameh Shoukry, shtoi se vendet do kishin bisedime për rivendosjen e ambasadorëve ‘në kohën e duhur’.

Ministri turk fajësoi për përçarjen e gjatë ‘keqkuptimet dhe mungesën e dialogut’, ndërsa pranoi ndikimin që pati në dy vendet.

“Ka një nivel të madh potenciali të pashfrytëzuar, por ne i kemi humbur ato nëntë vjet dhe për të mbyllur këtë hendek nëntëvjeçar, duhet të punojmë edhe më shumë,” tha Cavusoglu, duke lënë të kuptohet për një takim të mundshëm zyrtar midis presidentëve të dy vendeve, Erdogan të Turqisë dhe Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit.

Përveç përpjekjes për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike, Çavusoglu shprehu angazhimin e të dyja palëve për përparimin e lidhjeve në fushat e energjisë, tregtisë dhe transportit.

“Ne duam të përmirësojmë bashkëpunimin tonë në fushën e energjisë, duam të ndërmarrim hapa konkretë…Ka disa ndërprerje në çështjet e transportit. Ne duam t’i ringjallim ato. Ne duam të maksimizojmë marrëdhëniet tona diplomatike”, tha Cavusoglu, siç raportohet nga media turke Anadolu.

Marrëdhëniet midis kombit të Afrikës së Veriut dhe Turqisë u përkeqësuan pasi presidenti egjiptian Mohamed Mursi, një mbështetës i Ankarasë dhe udhëheqës i Vëllazërisë Myslimane, u rrëzua në vitin 2013 nga el-Sisi, i cili ishte komandant i përgjithshëm i ushtrisë egjiptiane në atë kohë. Një vit më pas el-Sisi fitoi zgjedhjet presidenciale.

Zyrtarë të lartë të ministrisë së Jashtme nga Ankaraja dhe Kajro filluan të bisedojnë në vitin 2021 teksa Turqia kërkonte të qetësonte tensionet me Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin dhe Arabinë Saudite.

Kohët e fundit të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje për kufijtë detarë në Mesdheun Lindor të pasur me gaz dhe gjithashtu për Libinë, ku ata kanë mbështetur forcat kundërshtare në konfliktin e pazgjidhur.

Egjipti ka përjetuar një rënie ekonomike nga e cila është përpjekur të nxjerrë veten përmes një sërë mjetesh diplomatike që synojnë tërheqjen e investimeve të huaja.

Ministri i Jashtëm egjiptian tha se përmirësimi i marrëdhënieve turko-egjiptiane do ishte në interesin më të mirë të të dy vendeve.

“Në Egjipt ka pasur investime turke në fusha të ndryshme. Vitet e fundit, vëllimi i tregtisë mes dy vendeve është rritur në 9 miliardë dollarë. Kjo është një shifër e rëndësishme për të dy vendet.” – theksoi ai.

Në shkurt, një grup biznesmenësh turq u takua me kryeministrin egjiptian Mostafa Madbouly, takimi i parë i tillë në dhjetë vjet.

Delegacioni turk deklaroi synimin e tij për të rritur investimet në Egjipt me 500 milionë dollarë shtesë këtë vit. Kryeministri egjiptian garantoi se investitorët do gëzonin një mjedis të sigurt biznesi.