Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë një denoncimi sa i takon tenderave për blerjen e energjisë nga ana e qeverisë për një periudhë 3-5 vite, ku 270 euro është çmimi i fiksuar në këtë tender, ndërsa në bursë është 147 euro për megavat.
Meta në një dalje për mediat tha se kjo kontratë ishte korruptive, ku sipas tij do të vidhen shuma të mëdha parash..
Këtë aferë, ai e cilësoi një vjedhje të përbindshme në një ndër sektorët më të abuzuar nga Rilindja.
Meta ka ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhë në kohë prurjesh, kur prodhimi i energjisë është shumë herë më i madh.
“Të gjitha institucionet tashmë e kanë fiksuar vendin tonë, si vendin më të korruptuar në Europë. Bëma më e fundit që po përgatit Rilindja përballë korporatës së energjetikës, është hapja e tenderit për blerje energjie për 3-5 vite. Kjo aferë planifikon një vjedhje të përbindshme në një ndër sektorët më të abuzuar nga Rilindja, atë të energjisë elektrike. Shqipëria ka prodhuar energjinë që i duhet për familjarët. Kjo është kontratë korruptive. 270 euro është çmimi i fiksuar, ndërsa në bursë është 147 euro për megavat. Diferenca është kolosalë dhe vjedhja është kolosale. Deri në fund të marsit do jetë ne funksionim bursa e energjisë, tha zëvendëskryeministrja.”, tha ai.
“Qeveria ka deklaruar publikisht përmes Zëvendës Kryeministres, që deri në fund të Marsit, do të jetë në operim Bursa e Energjisë. Përse nuk pritet funksionimi i bursës së energjisë, i cili është një mekanizëm rregullator për blerjen e energjisë? Por, me sa duket qartë, babëzia për të mbyllur tenderin korruptiv të radhës nuk pret, kështu që deklarata për fillimin e bursës shqiptare të energjisë, mbetet pjesë e listës së madhe të mashtrimeve të Rilindjes.
Gjithashtu, dihet që KESH ka shitur energji gjatë vitit 2022 me çmime rekord shumë të ulëta. Disa herë më të ulëta se çmimi në bursën ndërkombëtare të energjisë. Me këtë tender korruptiv të energjisë, që gjoja do të blejë energji për 3-5 vjet, lind pyetja e madhe, çfarë do të ndodhë në kohë prurjesh, kur edhe prodhimi i energjisë me kapacitetet aktuale të vendit, është shumë herë më i madh?
Pra, i bie që KESH do të jetë duke shitur energji me 50 Euro/Megavati, e nga ana tjetër po KESH, për shkak të këtij tenderi korruptiv me çmim të fiksuar, do vazhdojë ta blejë me 270 Euro Megavati. Pra, do të shkarkojnë ujin pa prodhim energjie, vetëm e vetëm që kontrata korruptive të vazhdojë.
Përse duhet kjo kontratë korruptive kur energjia fare mirë mund të blihet nga prodhuesit shqiptarë, të cilëve u është vënë edhe taksë e jashtëzakonshme. Që çdo shqiptar të kuptojë sa e korruptuar është kjo qeveri mjafton një fakt i thjeshtë: Këta bëjnë tender me çmim të fiksuar 270 Euro/Megavati, kur vetë Bashkimi Europian, ka caktuar një çmim tavan 180 Euro/Megavati për deri në fund të vitit 2024.
Shqipëria është një vend i bekuar për mundësitë e saj për prodhim të energjisë elektrike. Falë burimeve hidrike, atyre fotovoltaike, të erës dhe të biomasës, Shqipëria përmbush me lehtësi të gjitha nevojat e saj dhe pa asnjë diskutim mund të eksportojë në mënyrë të vazhdueshme energji. Por, korrupsioni i Qeverisë është ai që pengon me çdo mjet shfrytëzimin e këtyre burimeve, të cilat do të prodhonin energji të pastër dhe me çmim shumë të lirë për qytetarët, vetëm e vetëm që të vazhdojnë tenderat korruptivë me qindra milionë Euro”, tha Meta më tej.