Vendosni fjalën kyçe....

Nga nafta falas deri te subvencionet për fidanë, 13,000 fermerë aplikojnë për skemën e bujqësisë mbyllen më 11 prill


Nisën sot aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë.

Sipas ministrisë së Bujqësisë numri i aplikuesve në ditën e parë është shumë i lartë. Deri në mesin e ditës janë kryer 13,000 aplikime nga fermerët në shkallë vendi për përfitimin e subvencioneve.

MBZHR bëri të ditur se kjo është një shifër tejet e lartë krahasuar me vitin e kaluar që tregon për interesin e shtuar të fermerëve për të përfituar nga masat mbështetëse të kësaj skeme.

Në ditën e parë kërkesat më të shumta ishin edhe për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë.

Deri tani 3400 aplikime janë shënuar për skemën e naftës pa taksa për bujqësinë. Fermerët kanë aplikuar online në portalin e-Albania, për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron kjo skemë, me zero dokumente dhe zero kosto. 20 Agropika dhe 35 zyra nga AREB-t, janë në dispozicion për aplikimet e fermerëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca informoi se aplikimet do të jenë të hapura deri më datë 11 prill, ndërsa shtoi se procedurat mund të kryhen on-line përmes portalit e-Albania apo pranë Agropikave dhe zyrave të ekstensionit bujqësor. “Ju lutem ta shfrytëzoni këtë kohë për të përfituar nga mundësia për ta marrë mbështetjen që ju takon për punën tuaj në bujqësi. Për çdo sqarim apo asistencë, telefononi në numrin e gjelbër: 08008383”, u shpreh Krifca në rrjetet sociale.

MBZHR njoftoi se fermerët mund të aplikojnë për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron Skema Kombëtare këtë vit, për sektorët: blegtori, bletari, fermat organike; certifikimi Global Gap; rinovimi i infrastrukturës së anijeve të peshkimit; mbështetje për ndërtimin e tregjeve bujqësore; mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës Beratit etj.

Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3,3 miliardë lekë. Për herë të parë do të aplikohet skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje. Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100,000, në vitin e dytë dhe tretë 150,000 lekë dhe 200,000 për fermë të certifikuar.

Skema kombëtare për 2022 shtrihej në 5 masa mbështetëse për bujqësisë dhe blegtorinë. Në 2022 mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4,9 miliardë lekëve. Fillimisht fondi i miratuar ishte 3,7 miliardë lekë, duke iu shtuar edhe 1,2 miliardë lekë në mesin e vitit për zbatimin e masës së re për dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha të atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.

Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022, të cilat zëvendësuan heqjen e skemës së kompensimit 6% të TVSH-së te agroindustria, vendosjen e 10% të TVSH-së te inputet bujqësore nga zero që ishin më parë, përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht. Një tjetër ndryshim që nisi zbatimin nga 1 korriku 2022 ishte edhe vendosja e akcizës 6 lekë/litri nga zero që ishte më parë për gazin që përdoret nga bizneset parashikohet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor