Vendosni fjalën kyçe....

Xi Jinping: Kina do punojë me Rusinë për një botë shumëpolare


Presidenti kinez, Xi Jinping, tha se Pekini do të punojë me Rusinë për “promovimin e një bote shumëpolare”.

Gjatë vizitës së tij të nëntë në Rusi që kur u zgjodh për herë të parë president në vitin 2013, Xi tha se do të punonte me Rusinë për ta bërë qeverisjen globale më të drejtë.

“Kina do të punojë me Rusinë për të ruajtur multilateralizmin e vërtetë, për promovimin e një bote shumëpolare dhe për demokraci më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe do të ndihmojë që qeverisja globale të bëhet më e drejtë dhe më e barabartë”, tha Presidenti Xi gjatë vizitës së tij zyrtare treditore në Moskë.

Xi zhvilloi disa bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar.

“Rritja e marrëdhënieve Kinë-Rusi jo vetëm që ka sjellë përfitime konkrete për të dy kombet, por gjithashtu ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e botës”, tha presidenti kinez, duke theksuar se tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Rusisë ishte rritur në rreth 190 miliardë dollarë vitin e kaluar.

“Kam besim se vizita do të sjellë rezultate të mira dhe do t’i japë një vrull të ri rritjes solide dhe të qëndrueshme të partneritetit strategjik Kinë-Rusi për epokën e re”, tha Xi.

Duke e quajtur Rusinë një “fqinj miqësor”, Xi shprehu kënaqësinë për vizitën.

“Më jep kënaqësi të madhe që edhe një herë të shkel në tokën e Rusisë në një vizitë shtetërore, me ftesë të Presidentit Vladimir Putin”, tha ai.

Të gjithë sytë janë kthyer kah takimi mes Xi dhe Putin, ndërsa lufta e Moskës kundër Kievit vazhdon për më shumë se një vit.

Presidenti kinez, Xi Jinping, do të qëndrojë për vizitë në Rusi nga 20 deri më 22 mars.