Kandidati i opozitës për Bashkinë e Vorës për zgjedhjet e 14 majit Indrit Hoxha i ka bërë thirrje Bashkisë Vorë, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve të tjera për informacion lidhur me disa tendera në këtë bashki gjatë katër viteve të fundit.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ai theksoi se bëhet fjaslë për 11 tendera me vlerë 14 milionë euro.
“Në cilësinë time si kandidat i Partisë Demokratike dhe i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, i drejtohem sot zyrtarisht Bashkisë Vorë, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve te tjera, me kërkesën për informacion, për disa tendera të zhvilluara në Bashkinë Vore gjatë katër viteve të fundit. Shpresoj që këto institucione të bëjnë detyrën dhe të reagojnë me transparencë dhe përgjegjshmëri për tenderat përkatës. Në të kundërt, mos-përgjigjia dhe mungesa e transparencës, do të konsiderohen si përpjekje dhe pjesëmarrje në mbulimin dhe fshehjen e korrupsionit që është bërë me këto tendera. Bëhet fjalë, jo për lek xhepi, por për 11 procedura prokurimi me vlerën e 14 milion eurove.” – tha Hoxha.
Ai i bëri thirrje prokurorisë e organeve të drejtësisë që të hetojnë tenderat në fjalë, të cilët i cilësoi si korruptivë, pasi kanë vjedhur lekët e taksapaguesve.
Kandidati i opozitës theksoi se Vora katër vitet e fundit ka ndërruar pesë kryebashkiakë ndërsa asnjë hetim nuk është kryer për abuzimet.
“Si kandidat për bashkinë e Vorës dhe si qytetar i Republikës, i bëj thirrje SPAK dhe organeve të drejtësisë shqiptare t’i hetojnë këto tendera korruptivë, të cilët qartësisht janë bere jo për punë, por për të vjedhur, sepse këta shpikin punë, jo për t’i bërë, por për të grabitur fondet. Për të futur duart në xhepat e qytetarëve të Vorës, në arkën e shtetit e ku t’u dalë. Organet e drejtësisë e kanë për detyrë të mbrojnë çdo qindarkë të taksave të qytetarëve nga abuzimi, vjedhja dhe korrupsioni, shtetëror apo privat. Vora në katër vitet e fundit është simbol i krimit dhe keqqeverisjes lokale të Edi Ramës. Për katër vite ka ndryshuar pesë kryebashkiakë, e megjithatë asnjë hetim nuk është kryer, asnjë kryebashkiak nuk ka shkuar përpara drejtësisë për abuzimin dhe vjedhjen e hapur që iu kanë bërë qytetarëve të Vorës. Vora ka potenciale të mëdha zhvillimi. Është porta hyrëse e Tiranës, 10 km larg saj, por duket sot si një cep i humbur i Shqipërisë, vetëm e vetëm se taksat janë vjedhur, vetëm e vetëm se paratë e qytetarëve kanë përfunduar në xhepat e pushtetarëve.” – shtoi Hoxha.
Në fund kandidati i opozitës tha se drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje pas e ka detyrim ligjor.
Hoxha tha se SPAK duhet të shkojë në zyrat e Bashkisë Vorë e të marrë nën kontroll ‘gropën e zezë ku humbin paratë e taksapaguesve’ duke shtuar se të gjithë personat që kanë abuzuar do dalin para drejtësisë.
“Kësaj situate, organet e drejtësisë duhet t’i japin fund. Ua kanë borxh qytetarëve të ndershëm të Vorës. Korrupsioni galopant në Vorë e ka falimentuar Bashkinë, dhe asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për të dënuar personat përgjegjës, për t’i kthyer qytetarëve dinjitetin e një qeverisjeje të mirë. Prandaj i bëj thirrje SPAK të zbarkojnë në zyrat e Bashkisë Vorë dhe të marrin në kontroll një gropë të zezë ku humbin paratë e taksapaguesve, prindërve, punëtorëve dhe njerëzve të punës të kësaj zone. Me 14 Maj, u premtoj të gjithë qytetarëve të Vorës, pa dallim partie e bindje politike, se vjedhjes dhe korrupsionit do t’i vijë fundi dhe një periudhe e re do të fillojë për ta dhe për qeverisjen lokale, në të mirë të njerëzve dhe zhvillimit të zonës. Të gjithë personat që kanë abuzuar me paratë e tyre, e kanë vendin para drejtësisë dhe aty do të përfundojnë! Së bashku fitojmë!” – mbylli deklaratën Hoxha.