Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka vlerësuar se tërmetet shkatërruese që goditën rajonin në shkurt shkaktuan rreth 104 miliardë dollarë dëme vetëm në Turqi. Ai apeloi për ndihmë nga jashtë, ndërsa tha se asnjë vend nuk është në gjendje të përballojë i vetëm një fatkeqësi të tillë.
Duke iu drejtuar një mbledhjeje ndërkombëtare të donatorëve të ndihmës si për Turqinë ashtu edhe për Sirinë, e cila gjithashtu u prek rëndë nga katastrofa, Erdogan dha njëfarë ideje për dëmet masive të shkaktuara nga tërmetet e 6 shkurtit, duke thënë se vendi i tij do synojë të rindërtojë rreth 319,000 shtëpi brenda vitit tjetër.
“Më shumë se 51,000 njerëz u bënë viktima të tërmeteve, më shumë se 105,000 u plagosën. Sipas të dhënave paraprake, dëmi prej tyre tejkaloi 104 miliardë dollarë”, tha presidenti në konferencën me bazë në Bruksel të hënën.
“Nuk është e mundur që një komb i vetëm të përballet i vetëm me një krizë të kësaj shkalle. Nuk do ta harrojmë kurrë solidaritetin që kanë treguar të gjithë miqtë tanë në këto ditë të vështira.”
Në të njëjtën ngjarje, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE-ja do sigurojë 1 miliard euro për të ndihmuar përpjekjet e rindërtimit të Turqisë dhe 108 milion euro të tjera (115 milion dollarë) për ndihmën humanitare në Siri, ku rreth 6,000 persona u vranë nga tërmetet.
Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP) ofroi një vlerësim të ngjashëm për dëmin në Turqi, duke thënë se vendit do t’i duhet të grumbullojë së bashku të paktën 103.6 miliardë dollarë për të rindërtuar shtëpitë dhe infrastrukturën e shkatërruar, ose 9% të parashikimit të PBB-së së tij për 2023.
Agjencitë e tjera të OKB-së kanë apeluar për para ndihme pas katastrofës, duke shpresuar të mbledhin 397 milionë dollarë për Sirinë dhe 1 miliardë dollarë të tjerë për Turqinë, megjithëse projekti i fundit kishte arritur vetëm rreth 10% të qëllimit të tij që nga 6 marsi.