Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Ekonomisë nuk ndryshon projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, pas 3 javësh do miratohet në Parlament


Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë kanë rinisur diskutimet e projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Në fillim të mbledhjes kryetari i komisionit Eduard Shalsi tha se drafti do të kalojë për miratim Parlamentit pas 2 deri 3 javësh.

Projektligji ishte parashikuar të hynte në fuqi nga 1 janari 2023, por u shty në fund të këtij viti, pasi grupi i punës i ngritur nga komisioni parlamentar kërkoi të marrë në shqyrtim ankesat e Institutit të kontabilistëve të Miratuar dhe Shoqatës së Bankave.

Kryetari i Komisionit shtoi se grupi i punës ka bërë disa rishikime në draft në lidhje me përkufizimet, por edhe ka marrë në konsideratë disa propozime të sistemit bankar të paraqitura nga shoqata e bankave dhe Banka e Shqipërisë.

Përsa i përket ndryshimeve të reflektuara pas kundërshtimeve të grupeve të interesit relatorët e draftit prezantuan vetëm ato për përmirësim dhe saktësim termash, jo shqetësimet e profesioneve të lira për zbatimin e tatimit progresiv që nis nga 1 janari 2024.

Relatorja deputetja Blerina Gjylahmeti tha se rekomandimet e grupeve të interesit janë përfshirë në draftin e përmirësuar, duke përfshirë rishikimet te termave, si: entitet, shoqëri, divident, seli e përhershme, etj.

Relatorët e draftit gjithashtu shtuan se ndryshimet përmirësojnë ligjin aktual të tatimit mbi të ardhurat të hartuar që në vitin 1999, duke krijuar vështirësi në zbatim me konceptet e kohës.

Por për projektligjin e rishikuar kontabilisti Sotiraq Dhamo më herët pohoi për Monitor se thelbi i vërejtjeve të tyre nuk janë marrë në konsideratë dhe grupi i punës s’ka bërë ndryshime për profesionet e lira nga varianti që është diskutuar në dhjetor, përveçse atyre të termave teknik.

“Drafti i rishikuar nuk rezulton të ketë ndonjë ndryshim thelbësor në raport me projektligjin e muajit dhjetor. Pra Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka qëndruar variantit të mëparshëm, gjithnjë nëse do të jetë ky drafti që do të miratohet nga komisioni parlamentar. Pra në thelb profesionet e lira i tatojnë 15%. Tregtarët e dyqaneve i le me tatim 0 deri në vitin 2029. Taton profesionistët e vetëpunësuar, si të ardhura nga pagat me 23%”.

Kontabilistë të tjerë, ekspertët fiskalë dhe avokatë kundërshtuan sërish ashpër projektligjin e rishikuar për shkak të barazisë që krijon mes tatimpaguesve, kryesisht me profesionet e lira.

Nisma përcakton dy afate zbatimi.

Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor