Vendosni fjalën kyçe....

Vetting në gjyqësor edhe në Maqedoninë e Veriut, Kovaçevski e paralajmëron pas raportit të DASH


Kritikat e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të Drejta të Njeriut duhet të shërbejnë për angazhim më të madh të institucioneve në përmirësimin e gjendjes në fushat përkatëse, në veçanti në gjyqësor, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ka deklaruar të martën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në raportin e DASH-it, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, përmendet korrupsioni i rëndë qeveritar, mungesa e përgjegjësisë për dhunë me bazë gjinore dhe atë në familje, trajtim çnjerëzor dhe degradues në burgje, kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve dhe kërcënime e dhunë drejtuar anëtarëve të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

“Raportet e tilla duhet të përdoren në drejtim të përmirësimit të situatës në shoqëri, sidomos në ato që ne i analizojmë. Besimi në gjyqësor është diçka për të cilin duhet të punojë e tërë shoqëria, dhe para së gjithash organet e drejtësisë. Ne synojmë realizimin e më shumë projekteve, ku unë do ta theksoja procesin e vetingut, që duhet të përfshijë të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur. Ky proces duhet bërë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”, ka deklaruar Kovaçevski, përcjell REL.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit ndër të tjera është thënë se megjithëse Maqedonia e Veriut ka një ligj që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, ende ka raportime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion.

“Sondazhet e opinionit publik kanë përmendur vazhdimisht korrupsionin si një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve…Kushtetuta parashikon gjykata autonome dhe të pavarura, por Qeveria jo gjithmonë ka respektuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i panevojshëm politik, ryshfetet për gjyqtarët, drejtësia e stërzgjatur, si dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit, vazhdojnë të pengojnë efektivitetin e gjykatës dhe të ndikojnë në besimin e publikut në sundimin e ligjit”.

Në raport, ndër të tjera, flitet edhe për kushtet e këqija në burgje, kushtet çnjerëzore në repartet e mbipopulluara të burgjeve, dhe personelin e korruptuar në burgje, si dhe se policia ka abuzuar me të paraburgosurit dhe të burgosurit dhe ka përdorur forcë të tepruar ndaj tyre.

“Në lidhje me situatën nëpër burgje, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, me mbështetjen e Qeverisë, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, mendoj BE-në, SHBA-në dhe financuesit tjerë, punojnë që të eliminohen të gjitha vërejtjet e theksuara. Bëhen përpjekje për përmirësimin e kushteve në të gjitha burgjet e vendit”, ka deklaruar kryeministri maqedonas.