Ditën e sotme Shërbimi social shtetëror u paraqit në mjediset e “Prestige Resort”, për të marrë në administrim dy godina hoteliere të këtij kompleksi, të cilat rezultojnë të jenë konfiskuar me një vendim të Këshillit kombëtar të territorit.
Resorti është në pronësi të Irfan Hysenbelliut njëkohësisht dhe botues i disa mediave të rëndësishme në vend.
Kjo është faza e tretë e cila filloi në fillim të shtatorit 2022 fillimisht me prishjen e pishinave më pas në 4 dhjetor u shemb me tritol godina 7 katëshe e resortit.
Përfaqësuesit e Shërbimit social shtetëror, të shoqëruar dhe nga forca policie shkuan sot në kompleksin turistik Prestige Resort në Golem duke mbajtur në duar një vendim të qeverisë “i cili i kalon në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë, godinat nr. 1 dhe nr. 3.
Përfaqësuesit e Hysenbelliu Group, i konsideruar veprimet e sotshme të paligjshme. “Nuk e di kush ja kaluar ministrisë së Shëndetësisë, apo Ministrisë së Financave, posedimin e sendit. Ne nuk e kemi humbur ndonjëherë. Që do të thotë se procedura e konfiskimit është kontestuar në gjykatë, dhe është duke vijuar procesi gjyqësor. Si rrjedhim, nëse ju pretendoni se jeni pronarë, se ne vlerësojmë se nuk jeni, sipas ligjit për pronat e paluajtshme të shtetit, normalisht ato trajtohen në barazi me pronat private, që do të thotë se duhet t’i drejtoheni gjykatës, sipas Kodit civil, dhe të paraqisni pretendimet tuaja. Veprimi juaj, duke kërkuar sot që të lirohet godina dhe të na nxirrni jashtë, vlerësohet nga ne, si i paligjshëm, i parregullt dhe si pasojë nuk e zbatojmë”, deklaroi avokati i kompanisë, Erion Kanxheri.
“Hysebelliu Group” i ka cilësuar veprimet e qeverisë se synojnë të diktojnë linjën editorial të mediave që kompania zotëron; televizione, gazeta e portale informative. Vetë televizionit News 24, i është njoftuar një gjobë prej afro 200 mijë dollarësh nga ana e tatimeve, të cilën drejtuesit e televizionit, e kanë konsideruar të padrejtë. Po ashtu dhe biznese të tjera të grupit Hysenbelliu, janë përballur kohët e fundit me gjoba disa miliona eurosh.
Rasti i prishjes te Resorti ishte edhe pjesë e raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut të publikuar dy ditë më parë.
Prishja është kontestuar edhe nga opozita në Shqipëri e cila e ka konsideruar veprim arbitrar dhe sulm ndaj medias.