Sylvia Rafael punonte në fshehtësi si fotografe e agjencisë së lajmeve. Fotografitë e saj për agjencinë izraelite të spiunazhit qëndruan në arkivat e saj për dekada përpara se të publikoheshin për publikun në një ekspozitë.
Më 8 tetor 1965, shefi i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad, i paraqiti kryeministrit të vendit një plan për të vrarë disa militantë kryesorë palestinezë në Bejrut, Liban, me letra bombë.
“Do jetë një grua që do e bëjë këtë,” tha shefi i Mossad, Meir Amit, sipas transkripteve të takimit me kryeministrin, Levi Eshkol, të parë nga The New York Times. Agjenti do udhëtonte për në Bejrut dhe do i fuste bombat në një kuti postare atje, tha ai.
Në një takim të mëvonshëm, Amit i tha kryeministrit se gruaja ishte një agjente e Mossad-it që përdorte një pasaportë kanadeze, e cila punonte si fotografe për një agjenci shtypi franceze.
Identiteti i gruas, Sylvia Rafael, dhe fytyra e saj, më vonë u bënë të njohura në mbarë botën kur ajo u arrestua si anëtare e një ekipi të Mossad që kishte planifikuar të vriste një tjetër militant palestinez në Norvegji, por qëlloi njeriun e gabuar.
Rafael dhe pjesë të historisë së saj të jetës janë të njohura gjerësisht, por puna e saj si fotografe e shtypit, duke dokumentuar qasjen unike që ajo arriti në vendet ku të huajt zakonisht nuk ishin të mirëpritur, në kampet sekrete stërvitore të përdorura nga militantët palestinezë, si dhe te udhëheqësit. e shteteve arabe dhe yjeve të Hollivudit, nuk ishte zbuluar kurrë publikisht.
Deri tani.
Të martën, puna e saj do jetë e hapur për publikun për herë të parë në Qendrën Yitzhak Rabin në Tel Aviv, pasi është mbajtur për dekada në një valixhe të mbyllur në arkivin e Mossad, në zemër të një prej objekteve më të mbrojtura në Izrael. Valixheja përmbante qindra negativë dhe kontakte nga vitet e punës së saj për Dalmas, një agjenci franceze e lajmeve tashmë e zhdukur.
Puna e Rafael si fotografe ishte vetëm një mbulesë për aktivitetin e saj spiunazhi, por fotografitë që ajo bëri, thonë kuratoret e ekspozitës, tregojnë një talent të madh.
Fotot hapin një dritare në dy jetët e një gruaje, si spiune dhe fotografe. Ato përfshijnë portrete të liderëve rajonalë si presidenti Gamal Abdel Nasser i Egjiptit dhe pasardhësi i tij, Anëar Sadat, të pavëmendshëm për faktin se ata po fotografoheshin nga një agjent i Mossad.
Pamjet e tjera tregojnë skena të përmbytjeve në Jemen dhe trazira në Xhibuti, si dhe jetën e përditshme në vende si Libani dhe Jordania, të cilat do të kishin qenë jashtë kufijve për çdo izraelit, e lëre më për një agjent të Mossad.
Ato përfshijnë gjithashtu fotografi të yjeve të Hollivudit si Danny Kaye, Yul Brynner, Vanessa Redgrave dhe Eli Wallach.
“Sylvia ishte person i veçantë,” tha Moti Kfir, i cili shërbente si komandant i Akademisë së Operacioneve Klandestine të Mossad në kohën kur Rafael ishte rekrutuar e stërvitur atje. Ajo kishte, vazhdoi ai, ‘një talent të jashtëzakonshëm për të krijuar marrëdhënie me këdo dhe për t’i dhënë atyre ndjesinë se ata ishin miqtë e saj më të mirë’.
“Historia e Sylvia-s më magjepsi”, tha Ilan Schwarz, një nga kuratoret e ekspozitës, i cili ishte i pari që kërkoi koleksionin.
“Ajo ishte një grua që shkoi kundër konventave në një moshë shumë të re, la zonën e saj të rehatisë dhe pranoi të sakrifikonte kaq shumë.”
Ai shtoi: “Kur dëgjova se ajo kishte përdorur mbulesën e një fotografi në zonat e luftës në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, besova se nëse mund t’i gjenim ato fotografi, ato mund të kishin vlerë të madhe artistike.”
Menjëherë pasi Rafael u arrestua në 1973 në Norvegji, Mossad mori fotografitë e saj, tha Schwarz. Ai bashkoi forcat me dy koleksionistë izraelitë të artit nga Londra, Tamar Arnon dhe Eli Zagury, dhe së bashku ata iu afruan Mossad-it me një kërkesë për ta vënë në dispozicion koleksionin.
“Asnjë moment nuk e përfytyroja se do gjenim një nivel të tillë fotografie dhe një talent të tillë, derisa të hapnim valixhen”, tha zonja Arnon, e cila kuroi ekspozitën me Schwarz dhe Zagury.
Fotografitë dokumentojnë detyrat me të cilat ka punuar zonja Rafael nga viti 1965 deri në vitin 1971. Disa nga fotot janë ende të klasifikuara sekrete nga Mossad dhe janë mbajtur jashtë ekspozitës.
Në disa nga fotot shfaqet zonja Rafael, e cila vdiq në vitin 2005. Kfir, oficeri i inteligjencës, tha se autoportrete të tilla ishin një praktikë e zakonshme për agjentët e inteligjencës që përpiqeshin të merrnin fotografi të vendndodhjeve ose njerëzve pa ngjallur dyshime.
Koleksionet e veprave të artistëve të vdekur shpesh ekspozohen nga familje ose njerëz të interesuar për të përfituar nga puna e tyre, tha zonja Arnon. Ajo shtoi: “Këtu, megjithatë, për shkak të fshehtësisë dhe ndjeshmërisë, ky koleksion, i krijuar falë veprimtarisë klandestine, ishte harruar deri më tani.”
Zonja Rafael ka lindur në vitin 1937 në Afrikën e Jugut nga një baba hebre dhe një nënë jo-hebreje, që do të thotë se ajo nuk ishte hebreje sipas ligjit fetar hebre. Megjithatë, ajo zhvilloi një besnikëri të fortë me popullin hebre, emigroi në Izrael dhe filloi të punonte si mësuese.
Ajo shpejt ra në sy të Mossad-it, i cili ishte vazhdimisht në kërkim të agjentëve të mundshëm që nuk dukej se ishin izraelitë.
“Një nga instruktorët në akademinë e Mossad-it na tregoi me krenari për një të dashurën e tij të re, e cila kishte një shoqe banese në Tel Aviv, e cila mund të ishte me interes për ne.” – tha oficeri Kfir.
Ajo shoqe e banesës ishte zonja Rafael, e cila u rekrutua me sukses dhe iu nënshtrua dy viteve stërvitjeje të vështira si agjente.
“Ishte e rëndësishme që Rafael të na provonte se ajo, e cila nuk ishte rritur në Izrael, e cila nuk ishte hebreje, do të ishte më e suksesshme,” tha ai.
“Dhe ajo nuk kishte frikë nga asgjë. Nuk kishte asnjë detyrë për të cilën ajo shprehte frikë ose kundërshtonte ta kryente.”
Gjatë stërvitjes, që përfshinte edhe përdorimin e kamerave, instruktorët vunë re talentin e saj.
“Dhe më pas nisi të mbijë ideja për të ndërtuar një mbulesë për të si fotografe.” –tha Kfir.
“Është një mbulesë perfekte sepse i jep operatives kredencialet e një gazetari dhe një shpjegim të shkëlqyeshëm se pse ajo duhet të hyjë në vendet për të cilat është shumë e vështirë të marrësh një vizë.”
Rafael kaloi një kurs intensiv fotografie me një nga fotografët kryesorë të shtypit në Izrael. Një biznesmen hebre evropian i dërgoi jetëshkrimin e saj me një rekomandim të ngrohtë agjencisë Dalmas në Paris për të pranuar ‘talentin në rritje’ për përvojë pune, sipas Kfir.
“Dhe kështu mori formë historia e fshehjes.” – tha z. Kfir.
“Ajo jetoi në Paris dhe prej andej shkoi në misione në Xhibuti, Jordani apo Liban.”
Zonja Rafael arriti të afrohej me mbretin Husein të Jordanisë, i cili e ftoi atë në shtëpinë e tij për ta fotografuar atë dhe familjen e tij, duke përfshirë princin Abdullah, mbretin e tanishëm. Mossad nuk lejoi publikimin e fotove nga ai udhëtim, por lejoi publikimin e fotove në të cilat ajo dokumentonte presidentët Nasser dhe Sadat, dëshmi se sa afër u afrua Mossad me dy liderët egjiptianë, të cilët kishin frikë për vite se Izraeli do të provonte t’i vriste.
Zonja Rafael ishte gjithashtu agjentja e Mossad-it që depërtoi në kampet e stërvitjes për Fatahun, lëvizjen e themeluar nga Yasir Arafat që më vonë u bashkua me Organizatën për Çlirimin e Palestinës dhe, në vitin 1965, filloi një fushatë sulmesh kundër Izraelit dhe qytetarëve izraelitë në mbarë botën. Zyrtarët e lartë të organizatës ishin objektivi i sulmit me letër bombë që kreu i Mossad-it kërkoi në vitin 1965, por që përfundimisht ishte i pasuksesshëm.
Një nga fotografitë e vizitës së saj në kamp është ekspozuar në ekspozitën në Tel Aviv. Ai tregon ‘vështrimin e zjarrtë në sytë e djemve që u mobilizuan pas thirrjes së Yasir Arafat’, tha zoti Schwarz.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times