Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Financave reagon për ‘Prestige Resort’: Gjithë procedurat në përputhje me ligjin


Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë një reagim për mediat pas aksionit të sotëm të konfiskimit të godinave të mbetura të “Prestige Resort” të cilat do t’i kalojnë Shërbimit Social Shtetëror.

Sipas ministrisë të gjitha procedurat në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën. Sipas tyre, ndryshe nga sa pretendojnë palë të caktuara nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor, i asnjë lloj forme, që të ketë pezulluar vendimmarrjen shtetërore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë se me kërkesë të Shërbimit Social Shteteror, me qëllim sigurimin  e hapësirave shtesë dhe të reja për institucionet rezidenciale për ofrimin e sherbimeve sociale për personat me aftësi të kufizuar apo kategorive të tjera vulnerabel, me qëllim përmbushjen e standardeve sa më të mira për marrësit e shërbimeve të ofruara nga institucionet e përkujdesit shoqëror, i ka propozuar Këshillit të Ministrave kalimin e objekteve në pronësi publike, konfiskuar në baze të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Të gjitha procedurat e kryera nga institucionet publike në harkun kohor 2022-2023 janë në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën. Ndryshe nga sa pretendojnë palë të caktuara nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor, i asnjë lloj forme, që të ketë pezulluar vendimmarrjen shtetërore.

Ditën e sotme, nuk ka ndodhur asgjë ndryshe nga ditët dhe javët e kaluara, kur përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë kryer procedurat e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes.

Politizimi dhe mediatizimi i kësaj çështje e cila në thelb është një procedurë administrative nuk i shërben as zbatimit të ligjit, as mbështetjes që shteti shqiptar i jep shtresave në nevojë”, thuhet në reagimin për mediat.