Nesër myslimanët e Shqipërisë dhe mbarë botës kremtojnë nisjen e muajin të Ramazanit. Gjatë këtij muaji ata do agjërojnë për 30 ditë radhazi para se ta përmbyllin atë më festën e Fiter Bajramit.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët shqiptarë për muajin e Ramazanit, duke bërë thirrje që ai të jetë muaji i faljes, begatisë, mirëkuptimit të ndërsjellë, i ngritjes morale e shpirtërore.
“Të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër, nesër është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit. Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ju përcjell urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jetë muaji i faljes, muaji i begatisë, muaji mirëkuptimit të ndërsjelltë me njëri-tjetrin, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të çdo vështirësie që kemi.
Gjatë Ramazanit ju ftojmë të jeni më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira. Të nderuar besimtarë, çdo gjë gjatë këtij muaji ka vlerë shumëfish më të madhe, prandaj njerëzit përmes sakrificave të shumanshme personale, synojnë të lartësohen shpirtërisht dhe të afrohen më shumë me Zotin.
Gjithashtu ky muaj, është muaji i veprave të bamirësisë që impaktojnë në të gjithë shoqërinë. Të lëmë anash mospajtimet, mëritë e egoizmin. Të synojmë të arrijmë vetëm kënaqësinë e Zotit dhe harmoninë me njerëzit, me të cilët rrethohemi.
Uroj që ky të jetë muaji i faljes për ne. Duke ju uruar muajin e Ramazanit më lejoni tju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja!
H. Bujar Spahiu Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.’- u shpreh kreu i komunitetit Mysliman.”