Vendosni fjalën kyçe....

Vasili: Rama duhet të merret nën akuzë për shpërdorim detyre, shkeli ligjin e Këshillit të Ministrave kur firmosi për inceneratorin e Elbasanit


Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili thotë se kryeministri Edi Rama është nën akuzë të pashmangshme për inceneratorin e Elbasanit.

Sipas tij, Rama nuk ka respektuar ligjin kur ka firmosur për si kreu i KKT-së pa respektuar procedurën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Sipas  Vasilit ai ka shpërdoruar detyrën duke shkelur edhe Ligjin për funksionimin e Këshillit të Ministrave

Postimi i plotë:

Edi Rama nën akuzë të pashmangshme!

Edi Rama ka shpërdoruar detyrën dhe shkelur haptas Ligjin për funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Edi Rama ka shpërdoruar hapur dhe me qellim detyrën dhe nga kjo nuk shpëton dot!

SPAK-u ja ku e ka Ligjin dhe Shpërdorimi i Detyrës nga Edi Rama për inceneratorët është sa një mal.

“L I G J Nr. 9000, datë 30.1.2003 PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE” flet qarte:

Neni 2

Kryeministri

Kryeministri, përveç kompetencave të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe këto kompetenca:

a) përfaqëson dhe drejton Kryeministrinë;

b) u kërkon  ministrave  përgjegjës  shpjegime,  relatime  dhe  verifikime  administrative,  për çështje të fushës që ata mbulojnë;

c) pezullon zbatimin e akteve të ministrave, të drejtuesve të institucioneve qendrore, në varësi të tij ose të ministrave, me nismën e vet ose me kërkesë të subjekteve të interesuara, kur konstaton shkelje të Kushtetutës, të ligjeve, ose të akteve të Këshillit të Ministrave.

Edi Rama as ju ka kërkuar fare ministrave përgjegjës shpjegime, relatime dhe verifikime administrative për aferën e inceneratorëve, por ka vënë firmën me ndërgjegje të plotë.

Megjithëse shkeljet janë konstatuar edhe nga vetë ministrat e tij, Edi Rama nuk ka pezulluar zbatimin e akteve korruptive të ministrave që ishin në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, por përkundrazi i ka miratuar ato së bashku me Sekretarin e Pergjithshëm të tij.

Ndaj SPAK kot i fshihet marrjes së Edi Ramës në përgjegjesi penale për Shpërdorim Detyre për aferën e inceneratorëve.

Edi Rama nuk shpëton dot dhe do përgjigjet në mos sot nesër, por së bashku me të do të përgjigjet edhe SPAK-u vetë.