Kolegji Zgjedhor do shqyrtojë në 27 mars kërkesën e grupit të Berishës kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që regjistroi grupin e Alibeajt si subjektin që përfaqëson PD-në në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Grupi i Berishës kërkoi pezullimin e vendimit të marrë nga Komisioni i Ankimeve e Sanksioneve në KQZ dhe regjistrimin e Grupit për Rithemelimin si përfaqësuesin zyrtar të PD-së në zgjedhjet e 14 majit.
Njoftimi
“Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja me:
PADITËS: Partia Demokratike e Shqipërisë
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
OBJEKTI: Ndryshimin e Vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:
- Detyrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, të çregjistrojë subjektin “Partia Demokratike”, e regjistruar me nënkryetarin z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar;
- Regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryetari z.Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023;
- Rregullimin e pasojave duke detyruar Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, të përfshijë subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë të përfaqësuar nga Kryetari z.Sali Berisha, si pjesë e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, koalicion i regjistruar nga KSHZ me vendimin e datës 18.03.2023.
Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me Vendimin nr.27, datë 16.03.2023, objekt i padisë së mësipërme, ka vendosur:
“1. Rrëzimin e kërkesës ankimore nr.33 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z.Ledio Nuraj dhe z.Franci Nuri;
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.32 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z.Indrit Sefa;
- Ankuesi “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Indrit Sefa të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: – Deklaratën sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetarin z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë; – “Deklaratën e angazhimit solemn” të nënshkruar nga nënkryetari z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
- Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me nënkryetarin, z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
6.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”.
Më datë 21.03.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:
- Blerona Hasa (Relatore);
- Manjola Xhaxho (Anëtare);
- Emona Muҫi (Anëtare);
- Esmeralda Xhili (Anëtare);
- Alma Kolgjoka (Anëtare).
Me Urdhër Nr.5, datë 23.03.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 27.03.2023, ora 14:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore pranë sallës “Amfiteatri”, në selinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.”