Importet e naftës vijuan rënien sistematike edhe në janar të vitit 2023, ashtu si edhe përgjatë gjithë vitit të kaluar, në kontradikte me volumet e tregtisë me pakicë, që raportuan rritje me 2022 nga INSTAT.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë janarit të këtij viti u zhdoganuan 40,734 tonë naftë nga 45,001 në janarin e vitit të 2022, më rënie 9.5 për qind.
Në janarin e vitit 2022 ende nuk kishin nisur efektet e luftës në Ukrainë, por gjithsesi zhdoganimet e hidrokarbureve ishin edhe më të ulëta se në janarin 2020. Siç shihet nga të dhënat e grafikut te mëposhtëm, importet e hidrokarbureve në muajin janar shfaqen me luhatje nga viti në vit.
Gjatë vitit të kaluar importet e naftës pësuan rënie me mbi 9 për qind. Por të dhënat e INSTAT treguan se volumet e shitjes me pakicë të hidrokarbureve pësuan rritje sistematike gjatë vitit 2022, ku në tremujorin e parë rritja vjetore ishte me 4.2%, në tremujorin e dytë me 5.2%, në tretin me 3.9% dhe në të katërtin me 4.7%.
Mesatarisht shitjet me pakicë janë rritur me rreth 4.5% gjatë vitit 2022, por importet e naftës të raportuara zyrtarisht kanë rënë me rreth 9%.
Hidrokarburet janë produkti më i rëndësishëm në aspektin e arkëtimeve buxhetore, pasi renditen të parat në listën e artikujve që çojnë të ardhura në buxhet.
Çmimet e naftës në Shqipëri prej gati 10 muajsh përcaktohen nga një Bord ndërqeveritar. Vendimet e Bordit të Transparencës shpesh kanë qenë të diskutueshme pasi nuk kishin ecuri të drejtë me çmimet referencë të Bursës.
Ne mes të janarit 2023 një litër naftë u shit me 208 lekë. Në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë e cilësisë brent kushtoi rreth 80 USD në janar të këtij viti rënie vjetore 35%. Ndërsa në vendin tonë një litër naftë me pakice në janar 2023 kushtoi 15 % më shtrenjtë se në janarin 2022.
Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë tha në fillim të këtij viti se Bordi pritet që të shkrihej së shpejti, ndërkohë që dje u vendos të ndërhyhej sërish tek çmimet.
Përfituesi kryesor nga rritja e çmimeve të naftës është qeveria, e cila arkëton më shumë TVSH, si rrjedhojë e çmimeve të larta. Financat nuk kanë bërë të ditur se sa janë arkëtimet si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, por burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve bënë të ditur për Monitor se kompanitë e karburanteve kanë paguar 135 milionë euro më shumë TVSH vetëm nga shtrenjtimi i çmimeve, që për muaj me radhë qëndruan në nivelet e 230-240 lekë për litër, nga rreth 170-180 lekë për litër në vitin 2021.
VINI RE: Artikulli është pronë inelektuale e Revista Monitor