Vendosni fjalën kyçe....

Irani dënon me vdekje pesë persona që thotë se punuan për Izraelin


Një gjykatë në qytetin veriperëndimor të Iranit, Urmia, ka dënuar me vdekje pesë persona – katër burra dhe një grua – të cilët akuzoheshin se kanë punuar për agjencinë e inteligjencës izraelite, Mossad, raporton REL.

Organizata për të Drejtat e Njeriut, Hengaw, me bazë në Norvegji tha se të paktën edhe pesë persona të tjerë janë dënuar me burgim.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Irani ekzekutoi katër persona për bashkëpunim me Izraelin.

Izraeli dhe Irani janë armiq rajonalë dhe Irani vazhdimisht njofton për ndalimin e njerëzve që thotë se spiunojnë për shtete të huaja, përshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Irani nuk e njeh Izraelin dhe mbështet grupet e armatosura anti-izraelite në mbarë rajonin, sikurse Hezbollah dhe Hamas.

Irani dhe Izraeli për një kohë të gjatë e akuzojnë njëri-tjetrin për spiunim. Izraeli e sheh Iranin si kërcënimin më të madh dhe vazhdimisht ka kërcënuar me veprime ushtarake për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore. Irani mohon se synon që të ketë armë bërthamore dhe është zotuar për përgjigje të ashpër ndaj çdo agresioni izraelit.

Me një listë të gjatë të krimeve për të cilat shqiptohet dënimi me vdekje, Irani ka ekzekutuar të paktën 314 të burgosur gjatë vitit 2021. Vetëm Kina ka ekzekutuar më shumë të burgosur dhe atë mbi 1.000.

Ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e ekzekutimeve gjatë vitit 2022.