Një gjykatë në Itali miratoi ekstradimin e Artem Uss, djalit të guvernatorit të Krasnoyarsk, Alexander Uss, në Shtetet e Bashkuara të martën, pasi ai u arrestua me akuzat për shmangie të sanksioneve dhe pastrim parash.
40-vjeçari u ndalua në Itali në tetor në aeroportin Malpensa të Milanos me urdhër të SHBA-së, të cilat e kanë akuzuar atë, si dhe pesë shtetas të tjerë rusë, se kanë ndihmuar Moskën për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore. I akuzuari dyshohet se bleu teknologji ushtarake amerikane, duke ua shitur atë subjekteve ruse të sanksionuara, si dhe duke kontrabanduar naftë nga Venezuela te klientët në Kinë dhe Rusi.
Uss, i cili tani është në arrest shtëpiak pranë Milanos, i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe avokati i tij i ka thënë agjencisë së lajmeve TASS se ata synojnë të apelojnë vendimin e SHBA-së për ekstradimin. Ai vuri në dukje se gjykata italiane kishte miratuar ekstradimin për dy nga katër akuzat ndaj klientit të tij dhe se do apelohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Kasacionit.
Në tetor, një gjykatë ruse urdhëroi gjithashtu arrestimin e Uss dhe e vendosi atë në listën e kërkimit federal për një skemë pastrimi parash në një shkallë veçanërisht të madhe. Moska që atëherë ka kërkuar që Uss të ekstradohet në Rusi.
Uss ka kundërshtuar zyrtarisht deportimin në Shtetet e Bashkuara, të cilat ai thotë se i vizitoi për herë të fundit kur ishte 14 vjeç. Megjithatë, ai ka kërkuar zyrtarisht që të ekstradohet në Rusi. Avokatët e tij gjithashtu kanë vënë në pikëpyetje kushtet e mundshme të ndalimit të biznesmenit në SHBA dhe kanë theksuar se rusi mund të përballet me diskriminim në një burg amerikan.
Vendimi përfundimtar për ekstradimin do merret nga ministri italian i Drejtësisë dhe do merret vetëm pasi të nënshkruhen të gjitha dokumentet përkatëse. Sipas ligjit italian, ministrit i lejohet të anulojë vendimin e gjykatës në raste të tilla.
Guvernatori Alexander Uss ka pohuar se akuzat e ngritura kundër djalit të tij si dhe arrestimi i tij kanë ngjyrime politike ‘të dukshme’. Ndërkohë, avokatët e djalit të tij kanë sugjeruar se interesi i SHBA-së për ekstradimin e rusit diktohet nga dëshira për ta përdorur më vonë në shkëmbimin e të burgosurve me Moskën, ndoshta duke shpresuar ta shkëmbejnë atë me Paul Whelan, i cili u dënua me akuzat për spiunazh në Rusi në 2020.