Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj kërkoi në Parlament fiksimin në ligj të minimumit jetik.
Në një interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Leskaj kërkoi që minimumi jetik të përcaktohet brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.
Përcaktimi i minimumit jetik sipas deputetit të PD-së do të ndihmojë në hartimin e politikave për zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e politikave sociale.
Shqipëria është ndër vendet e vetme në rajon dhe Evropë që nuk e ka të përcatkuar minimumin jetik.
‘Kam bërë një amendim që kishte të bënte me detyrimin e qeverise për të caktuar minimumin jetik. Unë kërkoja që brenda 6 mujorit të parë të 2023 qeveria të miratojë minimumin jetik. Fatkeqësisht propozimi nuk gjeti mbështetje. E mendoj dhe e kërkova qysh në dhjetor, por zhvillimet në Kuvend, janar shkurt, nuk e mundësuan që kjo interpelance të realizohej më shpejt. Ne duhet ta vendosim në fokusin tonë të vëmendjes përcaktimin e minimumit jetik zyrtar, brenda 6 mujorit apo brenda 2023. Minimumi jetik përdoret më pas si referencë për pagën minimale. Aktualisht mungojnë të dhëna zyrtare për minimumin jetik. Mungon niveli bazë i matjes së varfërisë. 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga mospasja ushqimore. Në BE rezulton që një ndër 5 persona ka premisa për të rënë në varfëri, kurse në Shqipëri 1 ndër 2 persona rrezikon që të bjerë në varfëri. Lufta kundër varfërisë ndodhet në një udhë pa kryer në Shqipëri. Minimumi jetik shërben si një udhëzues për politikat e qeverisë. Minimumi jetik duhet të jetë baza për përcaktimin edhe të ndihmës ekonomike. Pse qeveria nuk përcakton minimumin jetik? Ne duhet të ngrihemi në nivelin politik dhe të nisim procedimin zyrtar për hartimin e ligjit dhe përcaktimin e minimumit jetik. Qeveria e ka për detyrë juridike përcaktimin e minimumit jetik.’- tha Leskaj.
Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj foli për çdo gjë tjetër rreth punës së bërë nga ministria por nuk tha asgjë për minimumin jetik nëse do e përcaktojnë në ligj.
E vetmja gjë që tha Manastriliu ishte kur u shpreh se vende të ndryshme operojnë në mënyra të ndryshme për të përcaktuar pagën minimale. Sipas ministres të dhënat e INSTAT të cilat janë gjeneruar sipas Eurostat kanë rezultatet e duhura dhe se efektiviteti i mbështetjes së familjeve në nevojë është rritur.
‘Vende të ndryshme operojnë në mënyra të ndryshme për matjen e minimumit jetik. Shqipëria ka të përcaktuar pagën minimale në rang vendi. Nga 1 prilli paga minimale bëhet 40 mijë lekë. Prej 2017 është realizuar dhe po realizohet anketa e të ardhurave të jetesës, ndryshe nga më parë kur statistikat ishin sporadike. Sipas të dhënave, të botuara nga INSTAT rezulton se shpërndarja e ndihmës ekonomike mbulon 82.5% për grupet që janë me vështirësi ekonomike. Skema e vjetër e ndihmës ekonomike, arrinte të mbulonte para reformës vetëm 22% të familjeve të varfra. Kemi një targetim shumë të mirë të mbulimit të personave që kanë më shumë nevojë nëpërmjet programit për ndihmën ekonomike. Nëse në 2013 kishim një mbështetje 96% mld lekë, në 2022 kjo mbështetje vjen e rritur me 58.8%, krahasuar me 2019 20% më shumë. Duhet më shumë dhe ne kemi indeksuar 2 herë pensionet dhe do të vijojë mbështetja për pensionistët. Gjatë 2022 kemi rritur me 20% për gratë me më shumë se 3 fëmijë. Fondi i ndihmë ekonomike për 2023 është 7.3 mld lekë. Mbështetja është shumë herë më e madhe se ajo që i referoheni ju. Në fillim të 2023 kemi mbështetur 1 mln qytetarë nëpërmjet pagës së madhe ku kanë përfituar 57 mijë familje me ndihmë ekonomike. Ka ende shumë punë për të bërë. sa i përket llogarive kërkohet më shumë punë, në raport me metodologjinë, me ardhjen në standardet evropianë, që të na japin të dhëna në cilësinë e vendosjes së minimumeve e standardeve të jetesë. Indikatori kryesor që na thotë ne për mbështetjen janë të dhënat e INSTAT me metodologjinë e Eurostat. Efektiviteti i mbështetjes së familjeve në nevojë është rritur. Ky besoj se është matësi më i mirë. Përllogaritja e minimumit jetik është llogari dhe unë besoj se thelbi i diskutimit është që të ardhurat të shkojnë atje ku ka më shumë nevojë.’- tha Manastirliu.
Edhe vetë Leskaj ia vuri në duke se ministrja nuk ju përgjigj asaj që ai kërkoi, ndërsa theksoi se është i shqetësuar që vendi ynë është i vetmi në Europë që nuk ka legjislacion për minimumin jetik.
‘Nuk ju përgjigjet asaj që doja unë. Unë ju pyeta për minimumin jetik dhe jo për punën në ministrinë që ju drejtoni. Minimumi jetik është baza. Jam i shqetësuar sepse ne jemi vendi i vetëm në Europë që nuk ka në legjislacion minimumin jetik.’- tha Leskaj.